
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar në rrjetet sociale pas zhvillimeve të fundit në Parlamentin Europian dhe raportimeve ndërkombëtare mbi situatën në Shqipëri.
Në një postim në Facebook, Meta thekson se Parlamenti Europian ka ngritur shqetësime serioze për përshkallëzimin e korrupsionit në vend, duke iu referuar edhe përkeqësimit të Shqipërisë në indeksin e Transparency International.
Sipas tij, rezoluta e PE-së denoncon dështimet në luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta të qeverisjes, si dhe pengesat ndaj hetimeve në këtë drejtim. Meta shton se dokumenti europian kërkon gjithashtu zhbërjen e ligjeve që, sipas tij, favorizojnë abuzimin me pronat dhe asetet publike, si dhe adresimin e çështjes së fondeve IPARD për bujqësinë.
Ai është ndalur edhe te situata e medias në Shqipëri, duke deklaruar se përkeqësimi i lirisë së shtypit dhe krijimi i një klime armiqësore ndaj gazetarëve të pavarur përbën një tjetër “alarm serioz”, duke iu referuar edhe raportit të “Reporterëve pa Kufij”.
Meta ka përmendur gjithashtu edhe kritikat e adresuara ndaj nismës rajonale “Ballkani i Hapur”, duke e cilësuar atë si një projekt të dështuar që, sipas tij, ka ndikuar negativisht në sektorin e bujqësisë dhe konkurrencën e fermerëve shqiptarë.
Në përfundim, kreu i Partisë së Lirisë rikonfirmon mbështetjen për procesin e integrimit europian, duke theksuar se Shqipëria duhet të përmbushë standardet e Bashkimit Europian në mënyrë të plotë dhe të qëndrueshme.