Vendosni fjalën kyçe....

Australia pret kthimin e 13 personave të lidhur me ISIS nga Siria, paralajmërohen arrestime



Autoritetet në Australi kanë njoftuar se 13 shtetas australianë, të lidhur me persona të dyshuar si anëtarë të grupit ekstremist Islamic State, pritet të kthehen nga Siria, përcjell DW.

Grupi përbëhet nga katër gra dhe nëntë fëmijë, të cilët kanë qëndruar në kampin Roj në Siri dhe pritet të mbërrijnë në aeroportet e Sidneit dhe Melburnit.

Ministri i Brendshëm, Tony Burke, deklaroi se këta persona nuk do të marrin asnjë mbështetje nga qeveria, duke theksuar se vendimet e tyre të mëparshme kanë qenë “të papranueshme dhe të turpshme”.

Nga ana tjetër, drejtuesja e Policisë Federale Australiane, Krissy Barrett, paralajmëroi se disa prej të kthyerve mund të arrestohen dhe të përballen me akuza penale menjëherë pas mbërritjes.

Autoritetet kanë mbledhur prova në Siri për të hetuar nëse këta shtetas kanë kryer vepra penale sipas ligjit australian, përfshirë udhëtimin në zona të ndaluara apo përfshirjen në aktivitete kriminale.

Ndërkohë, fëmijët do të përfshihen në programe riintegrimi dhe mbështetjeje në komunitet.

Kthimi i tyre vjen pas shpërbërjes së të ashtuquajturit “kalifat” të ISIS në vitin 2019, ndërsa autoritetet australiane kanë përgatitur prej vitesh plane për menaxhimin e rasteve të tilla.