Vendosni fjalën kyçe....

Starmer: Do të forcojmë masat kundër antisemitizmit, në shqyrtim edhe programi “Prevent”


Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka deklaruar se qeveria do të ndërmarrë masa të reja për të luftuar antisemitizmin, pas sulmit me thikë në Londër dhe shqetësimeve në rritje për sigurinë e komunitetit hebre.

Duke folur për mediat, Starmer theksoi se autoritetet do të rrisin praninë e policisë në komunitetet e rrezikuara, do të shtojnë financimin për sigurinë e institucioneve hebraike dhe do të forcojnë kompetencat për mbylljen e organizatave që promovojnë ekstremizmin antisemit, përcjell BBC.

Ai shtoi gjithashtu se do të ndalohen hyrjet në vend të predikuesve të urrejtjes dhe do të përshpejtohen procedurat gjyqësore për rastet e sulmeve me motive antisemitizmi.

Në lidhje me sulmin, Starmer u pyet edhe për efektivitetin e programit kundër ekstremizmit “Prevent”, pasi i dyshuari ishte referuar në këtë program në vitin 2020. Kryeministri u shpreh se hetimet janë ende në zhvillim dhe se nuk janë zbardhur të gjitha faktet.

“Nuk i kemi ende të gjitha faktet. Programi ‘Prevent’ është rishikuar pas ngjarjeve të vitit 2024, por duhet të jemi të hapur për të nxjerrë mësime të tjera”, deklaroi ai.

Starmer pranoi gjithashtu nivelin e lartë të shqetësimit brenda komunitetit hebre, duke theksuar se qeveria është e angazhuar për të garantuar sigurinë.

“I kuptoj plotësisht nivelet e larta të ankthit dhe shqetësimit”, tha ai, duke shtuar se është mbledhur një takim emergjent i strukturave të sigurisë për të koordinuar reagimin institucional.

Kryeministri paralajmëroi edhe masa të reja në lidhje me protestat, veçanërisht për sa i përket sloganeve, pankartave dhe përsëritjes së tyre, duke nënvizuar se disa thirrje mund të përbëjnë nxitje për dhunë.

Ai kritikoi gjithashtu sjelljet në disa protesta pro-palestineze, duke theksuar se përdorimi i sloganeve si “globalizoni intifadën” duhet të trajtohet si nxitje e terrorizmit dhe racizëm ekstrem.

“Njerëzit që përdorin këto thirrje duhet të ndiqen penalisht”, u shpreh Starmer.

Në përfundim, ai bëri thirrje për unitet kundër antisemitizmit.

“Çdo njeri i ndershëm në këtë vend duhet të hapë sytë ndaj dhimbjes, vuajtjes dhe frikës së komunitetit hebre”, deklaroi kryeministri, duke shtuar se vlerat britanike duhet të mbrohen çdo ditë përmes veprimeve konkrete.