Vendosni fjalën kyçe....

Plehrat në Butrint, Zhupa: 3 milionë euro në vit për menaxhim, por mungon pastrimi


Kryetarja e Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës, Ina Zhupa, ka denoncuar gjendjen në hyrje të Parkut Kombëtar të Butrintit, duke e cilësuar situatën të papranueshme për një pasuri të mbrojtur nga UNESCO.

Deputetja e Partisë Demokratike theksoi se, pavarësisht fluksit prej rreth 300 mijë vizitorësh në vit dhe të ardhurave të konsiderueshme që gjenerohen, hyrja e parkut mbetet e ndotur dhe pa standardet minimale për pritjen e turistëve.

Sipas Zhupës, Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit përfiton rreth 3 milionë euro në vit, por këto fonde nuk reflektohen në mirëmbajtjen dhe pastërtinë e zonës.

Ajo nënvizoi se mungesa e investimeve në këtë drejtim dëmton drejtpërdrejt imazhin e turizmit shqiptar dhe nuk përfaqëson një nga destinacionet më të rëndësishme kulturore të vendit.

“Kjo është hyrja e parkut kombëtar të Butrintit, pasuri e mbrojtur UNESCO, zonë e mbrojtur. Një nga perlat e Shqipërisë që duhet ta vizitojnë turistët nga e gjithë bota. Shikojeni pamjen se çfarë bëhet me mbetjet! Si është hyrja e këtij Parku!”, shprehet Zhupa.

Ajo shton se në të njëjtën zonë ndodhet edhe stacioni i autobusëve, ku zbresin turistët, të cilët sipas saj përballen me një pamje që nuk përputhet me imazhin turistik të Sarandës, Ksamilit dhe Butrintit.

“Vetëm vjet janë deklaruar rreth 300 mijë vizitorë, që kanë ardhur në parkun kombëtar të Butrintit, duke llogaritur rreth 3 milionë euro që i shkojnë pikërisht fondacionit për menaxhimin e Butrintit. Por nuk del dot asnjë para për të pastruar hyrjen e parkut”, thekson ajo.

Në përfundim, Zhupa shprehet se kjo situatë nuk i shërben dinjitetit të turizmit në Shqipëri dhe kërkon ndërhyrje për përmirësimin e kushteve në një nga pasuritë më të rëndësishme të vendit.