Nga Olsi Bakalli
Në politikë, shumica është një iluzion i bukur, të jep pushtet, por jo domosdoshmërisht zgjidhje. Rasti i Albin Kurtit është pothuajse laboratorik, një lider që vjen me mandat për të zgjidhur nyje, por përfundon duke prodhuar një tjetër ngërç institucional që ngjan më shumë me një lojë të luajtur keq sesa me një krizë të pashmangshme.
Pyetja që shtrohet nuk është morale, por strategjike: çfarë loje duhej të kishte luajtur ai?
Game Theory nuk fal romantizma politike. Ajo operon me një premisë të thjeshtë, çdo aktor racional duhet të marrë parasysh reagimin e të tjerëve. Përndryshe, nuk kemi strategji, por improvizim me pasoja. John Nash e formalizoi këtë në Nash Equilibrium: një pikë ku askush nuk ka interes të devijojë, sepse çdo zgjedhje është bërë duke llogaritur zgjedhjet e të tjerëve. Çfarë ndodh kur një lider sillet sikur ky ekuilibër është i panevojshëm? Loja prishet dhe kthehet në bllokim.
Zgjedhja e Presidentit tw Kosovws është një lojë koordinimi, jo një referendum force. Rregullat e saj kërkojnë bashkëpunim minimal, jo dominim maksimal. Dhe pikërisht këtu qëndron gabimi themelor i Albin Kurtit, ai e trajtoi procesin si një duel politik, ndërkohë që struktura institucionale kërkonte një marrëveshje.
Faji kryesor bie mbi të jo për arsye morale, por për arsye funksionale. Si fitues i zgjedhjeve, ai kishte detyrimin jo vetëm të artikulonte vullnetin, por ta përkthente atë në zgjidhje. Një shumicë e thjeshtë nuk është cek i bardhë për imponim, por një kapital që duhet investuar me kujdes në negociatë. Refuzimi për ta bërë këtë nuk është force, është keqmenaxhim strategjik.
Në vend që të ndërtonte një kandidat me cilwsi të pranueshme për palët, ai preferoi një lojë presioni, duke llogaritur se opozita do të thyhej. Por në një sistem me veto të shpërndara, kjo është një llogari naive.
Opozita nuk ka arsye të bashkëpunojë kur përfitimi i saj nga bllokimi është më i madh se ai nga kompromisi. Rezultati është i parashikueshëm, një ekuilibër inferior ku askush nuk fiton dhe sistemi ngec.
Ky nuk është thjesht një gabim taktik, por një keqlexim i funksionit të fitimit. Politika nuk është një lojë zero-sum ku njëra palë fiton gjithçka dhe tjetra humbet gjithçka. Është një hapësirë ku stabiliteti institucional, legjitimiteti dhe kostot afatgjata duhet të jenë pjesë e kalkulimit. Duke reduktuar gjithçka në kontroll politik, loja u deformua dhe u kthye në një duel steril.
Le të jemi të qartë: zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje. Janë një formë e shtyrjes së problemit dhe një mënyrë për të maskuar mungesën e një strategjie funksionale. Sovrani nuk votoi për të parë të njëjtën krizë të ricikluar, por për të parë një sistem që funksionon. Kur politika kthehet në cikël zgjedhor pa prodhim institucional, kemi një dështim të pastër të racionalitetit.
A mund të ishte shmangur kjo? Pa dyshim. Një qasje racionale do të kishte nisur me sinjalizim të hershëm për kompromis, përzgjedhje të një kandidati jo polarizues dhe ndarje të kostos politike me opozitën. Në gjuhën e teorisë së lojës, kjo do të krijonte një rezultat ku të gjitha palët dalin me përfitime minimale, por të mjaftueshme për të lëvizur përpara. Një përmirësim Pareto, jo një duel për dominim simbolik.
Por këtu shfaqet edhe dimensioni më shqetësues i kësaj historie. Nëse një lider sillet kështu me një shumicë të thjeshtë, çfarë do të ndodhte nëse do të kishte një shumicë absolute? Apo edhe më shumë pushtet institucional në dorë? A do të shihnim negociatë, apo një tendencë edhe më të fortë për imponim? Kjo nuk është më pyetje teorike, por një paralajmërim praktik. Historia politike në rajon e njeh mirë këtë model: një version i fortë i pushtetit që gradualisht humbet kontaktin me kufijtë institucionalë. Një kopje e zbehtë, por e rrezikshme, e asaj që kemi parë “këndej kufirit”.
Në fund, loja nuk u humb sepse mungonin opsionet, por sepse mungoi vullneti për të luajtur sipas logjikës së saj. U injorua ndërvarësia e aktorëve, u nënvlerësua kapaciteti i bllokimit tw opozitës dhe u mbivlerësua fuqia e mandatit elektoral për të zëvendësuar kompromisin.
Dhe si çdo lojë e luajtur keq, rezultati nuk është vetëm humbje për lojtarët. Është një kosto e shpërndarë mbi ata që nuk kanë asnjë lëvizje në këtë tavolinw, por që paguajnë çdo gabim.
Humbi populli i Kosovës.
