Kriza e çmimeve të karburantit për avionë, e nxitur nga tensionet në Lindjen e Mesme, po detyron linjat ajrore europiane të shkurtojnë ndjeshëm fluturimet dhe të rrisin kostot për pasagjerët, pikërisht në prag të sezonit veror.
Sipas të dhënave të International Air Transport Association, çmimet e karburantit ajror në Europë janë rritur me 105.7% krahasuar me një vit më parë, duke vënë në rrezik planet e udhëtimit për verën 2026, përcjell Euronews.
Ndër kompanitë më të prekura janë Transavia, Turkish Airlines dhe Lufthansa, të cilat kanë njoftuar anulime dhe pezullime të fluturimeve.
Transavia, pjesë e grupit Air France-KLM, ka konfirmuar anulimin e disa fluturimeve gjatë muajve maj dhe qershor. Kompania ka bërë të ditur se pasagjerët e prekur do të kenë mundësi të zgjedhin mes rimbursimit të plotë, riplanifikimit falas ose një voucher-i, duke ia atribuar vendimin rritjes së kostove të karburantit për shkak të situatës gjeopolitike.
Ndërkohë, KLM ka njoftuar anulimin e 160 fluturimeve nga dhe drejt aeroportit Schiphol në maj, duke theksuar se kostot e larta të kerosenit i kanë bërë disa linja financiarisht të paqëndrueshme.
Nga ana tjetër, Turkish Airlines ka pezulluar 18 destinacione ndërkombëtare dhe ka reduktuar frekuencat në rrjetin e saj global. Ndryshimet prekin linja në Europë, Afrikë dhe Azi, përfshirë destinacione si Hurghada, Havana dhe Leipzig, me disa pezullime që do të zgjasin deri në fund të vitit.
Edhe Lufthansa ka ndërmarrë masa drastike, duke anuluar rreth 20,000 fluturime për të përballuar rritjen e kostove.
Në të njëjtën kohë, kompania SunExpress, një bashkëpunim mes Turkish Airlines dhe Lufthansa, ka vendosur një tarifë shtesë prej 10 eurosh për pasagjerët në fluturimet nga Turqia drejt Europës, duke filluar nga maji.
Megjithatë, jo të gjitha lajmet janë negative për udhëtarët. Gjiganti turistik TUI Group ka bërë të ditur se nuk do të rrisë çmimet për klientët që kanë rezervuar tashmë pushimet e tyre, duke garantuar stabilitet për ata që kanë planifikuar udhëtimet më herët.
Kriza e karburantit ajror shihet si një tjetër pasojë e përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, duke shtuar presionin mbi industrinë e aviacionit dhe duke rritur pasigurinë për sezonin turistik në Europë.
