Vendosni fjalën kyçe....

Shkon në 14 numri i viktimave të aksidentit hekurudhor në Indonezi



Një aksident i rëndë hekurudhor është regjistruar pranë Xhakartës në Indonezi, ku përplasja mes dy trenave ka shkaktuar 14 viktima dhe dhjetëra të plagosur, sipas autoriteteve vendase.

Ngjarja ndodhi në stacionin Bekasi Timur, në periferi të kryeqytetit indonezian, kur një tren i linjës së gjatë u përplas nga pas me një tren urban që ishte i ndaluar. Si pasojë e goditjes së fortë, disa vagona pësuan dëmtime të mëdha dhe pasagjerë mbetën të bllokuar brenda.

Sipas kompanisë shtetërore hekurudhore KAI, rreth 84 persona janë transportuar në spitale për ndihmë mjekësore, ndërsa viktimat ndodheshin të gjitha në trenin urban. Ndërkohë, 240 pasagjerët e trenit të linjës së gjatë janë evakuuar pa lëndime.

Ekipet e shpëtimit punuan për orë të tëra për nxjerrjen e të mbijetuarve nga vagonët e dëmtuar rëndë, ndërsa autoritetet theksuan se operacioni ishte i vështirë për shkak të deformimit të strukturave, përcjell DW.

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa ngjarja ka rikthyer vëmendjen te problematikat e infrastrukturës hekurudhore në Indonezi, ku aksidentet e tilla nuk janë të rralla.

Ngjarja vjen si një tjetër alarm për sigurinë në transportin hekurudhor në rajon, duke ngritur shqetësime për standardet dhe mirëmbajtjen e rrjetit ekzistues.