Vendosni fjalën kyçe....

“Po ata idiotë shqiptarë atje ç’thonë” – Ministria e Jashtme përgënjeshtron PD-në: Mesazhe të fabrikuara


Ministria e Jashtme ka përgënjeshtruar PD-në, pas pretendimeve të kësaj të fundit se ministri Hoxha kishte përdorur gjuhë fyese ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, duke i quajtur “idiotë” në një mesazh.

Zëdhënësi i institucionit Alteo Hysi deklaroi sot se mesazhet ishin të pavërteta dhe një fabrikim nga ana e selisë blu.

“Zëdhenësi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh keqardhjen për publikimet e shpërndara sot në mediat sociale, të cilat pretendojnë të paraqesin komunikime të brendshme, por që në fakt janë të pavërteta. Ato nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Komunikimi i servirur publikut është i paqenë. Është për të ardhur keq që pretendime të tilla fabrikohen dhe më pas amplifikohen nga aktorë politikë në vend. Kjo nuk është hera e parë që në arenën publike hidhen pretendime se anëtarë të shërbimit të jashtëm gjoja shkelin betimin e tyre. Ministri Hoxha shpreh besim të plotë në ndershmërinë dhe profesionalizmin e Shërbimit të Jashtëm, i cili vijon të përmbushë detyrat me përkushtim, duke u fokusuar në punën e tij dhe duke mos u ndikuar nga zhurmat dhe tymnajat e qëllimshme”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme.