Vendosni fjalën kyçe....

Netanyahu zbulon se u trajtua në fshehtësi për kancerin e prostatës


Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u trajtua në fshehtësi për kancer të prostatës, tha ai të premten, teksa bëri publike rezultatet e ekzaminimit të tij mjekësor vjetor.

Netanyahu, 76 vjeç, tha se e shtyu publikimin e raportit të tij mjekësor vjetor – i cili zbuloi se ai ishte diagnostikuar me kancer për herë të parë – me dy muaj, në mënyrë që ai të mos përdorej si propagandë nga Irani.

Lideri me mandatin më të gjatë në historinë e Izraelit iu nënshtrua një operacioni për zmadhimin e prostatës në dhjetor të vitit 2024, një operacion të cilin Zyra e Kryeministrit e bëri të ditur publikisht në atë kohë. Në kontrollin e fundit pas operacionit, Netanyahu zbuloi në një deklaratë në mediat sociale se mjekët zbuluan një tumor malinj në prostatën e tij, më pak se një centimetër.

Zyra e Kryeministrit publikoi gjithashtu dy letra nga mjekët e tij për të shoqëruar zbulimin në mediat sociale. “Ky është një zbulim i hershëm i lezioneve shumë të vogla, pa metastaza, siç konfirmuan të gjitha testet e tjera përtej çdo dyshimi,” thuhej në njëren prej letrave.

Ai nuk zbulon se kur u bë kontrolli i fundit, por një burim izraelit i njohur me çështjen tha për CNN se kanceri u diagnostikua disa muaj më parë. Netanyahu filloi t’i nënshtrohej terapisë me rrezatim rreth dy muaj e gjysmë më parë, sipas burimit, dhe së fundmi e kishte përfunduar trajtimin.

Netanyahu thotë se mori vendimin t’i nënshtrohej terapisë së synuar me rrezatim dhe “pika u zhduk plotësisht.”

“Falë Zotit, jam i shëndetshëm,” tha Netanyahu në mediat sociale. “Pata një problem të vogël mjekësor me prostatën tim që u trajtua plotësisht.”

Kryeministri me shërbimin më të gjatë në Izrael i është nënshtruar disa operacioneve gjatë kohës së tij në detyrë.

Në korrik 2023, Netanyahut iu vendos një stimulues kardiak (pacemaker) pasi u dërgua me urgjencë në spital për shkak të asaj që mjekët e quajtën një “bllokim i përkohshëm i zemrës.” Një javë më parë, mjekët thanë se ai kishte pasur një “episod të fikti,” derisa zyra e tij tha vetëm se ai kishte pasur marramendje.

Duke qenë se u sedatua për operacionin e vendosjes së stimuluesit kardiak, ai emëroi një ministër për të zënë përkohësisht vendin e tij, shkruan CNN.

Në mars 2024, Netanyahu iu nënshtrua një operacioni për të trajtuar një hernie. Ai kishte kryer një operacion të ngjashëm 11 vjet më parë.