
Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), asetet neto të këtyre fondeve në fund të vitit të kaluar arritën në 62.5 miliardë lekë.
Vlera neto e aseteve është rritur me 12.8% krahasuar me një vit më parë. Norma e rritjes u ngadalësua nga niveli prej 21.8% e vitit 2024, por megjithatë ky treg po vijon një tendencë të qëndrueshme në rritje, duke filluar nga vitit 2023.
Shifrat e mësipërme nuk përfshijnë fondet e investimeve alternative, të ofruara vetëm për investitorët profesionistë.
Në viti 2022, tregu u përball me një goditje, të shkaktuar nga rritja e shpejtë e normave të interesit dhe yield-eve në tregun financiar. Duke qenë se fondet e investimit investojnë kryesisht në instrumente borxhi, rritja e interesave e zhvlerësoi portofolin e titujve të mbajtur prej tyre, solli ulje të vlerës së aseteve dhe tërheqje të konsiderueshme të anëtarëve nga fondet.
Pas vitit 2023, vlera e aseteve i është kthyer rritjes dhe numri i anëtarëve gjithashtu, duke e vendosur tregun në një fazë rikuperimi gradual, paralelisht me përmirësimin e normave të kthimit të ofruara nga këto fonde.
Numri i anëtarëve në fund të vitit të kaluar arriti në 42 116, në rritje me 11.5% krahasuar me fundin e vitit 2024. Nëse vlera e aseteve nuk është rikuperuar plotësisht në nivelet e vitit 2022, numri i investitorëve aktualisht është në nivelet më të larta historike.
Fondet e investimit në Lekë i kanë përqendruar investimet e tyre sidomos në bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare dhe në një masë më të vogël në mjete likuide (llogari bankare).
Në fund të vitit 2025, obligacionet dhe bonot përbënin rreth 81% të vlerës së aseteve neto të fondeve të investimit.
Fondet në valutë kanë një spektër pak më të gjerë investimesh, por edhe aty në volume dominojnë instrumentet financiare të borxhit të qeverive dhe shoqërive tregtare. Disa prej fondeve janë të angazhuara edhe në investime në aksione, por pesha e tyre specifike në treg ngelet e ulët.
Deri në fund të vitit 2025, në treg ishin aktive 14 fonde investimi, të administruara nga gjashtë shoqëri të ndryshme administruese. Tregu ngelet i dominuar kryesisht nga fondet e administruara nga shoqëria administruese Raiffeisen Invest./Monitor