Vendosni fjalën kyçe....

Siguria ushqimore, Rama: I trembem vetëm neglizhencës alla shqiptarçe, kontrollet janë për t’ju ndihmuar, jo ndëshkimore


Edi Rama ka deklaruar se sektori i qumështit në vend duhet të përmbushë standardet e Bashkimit Evropian, duke theksuar se sfida kryesore është plotësimi i të gjithë zinxhirit të prodhimit dhe jo vetëm i disa hallkave.

Ai u shpreh se koha për përshtatje është e mjaftueshme dhe se kontrollet shtetërore do të jenë ndihmuese dhe jo ndëshkuese, me synim rritjen e standardeve dhe forcimin e ekonomisë.

“Sektori i qumështit nuk do t’u mbijetonte dot kërkesës së standardeve sepse është gjithë zinxhiri që duhet garantuar, jo thjesht një hallkë.

Unë kam parë disa që janë me makineri të fjalës së fundit, të certifikuara në disa aspekte, por zinxhiri është i mangët.

 Ne duhet ta plotësojmë dhe vijmë te nevoja për standard dhe unë nuk i trembem kohës që kemi në dispozicion, është e mjaftueshme.

Nuk i trembem aftësive të atyre që kanë investuar në 900 pika, i trembem vetëm neglizhencës alla shqiptarçe që hë se ka kohë, hë se do ta gjejmë një rrugë si t’ia rrëshqasim (BE) topin ndër shalë.

Natyrisht që vjen pjesa e shtetit se nuk është ushtrim i ndarë që duhet ta bëni ju dhe ne thjesht çojmë kontrollin.

Kontrollet janë të vlefshme për t’ju ndihmuar. Nuk do të jenë kontrolle ndëshkimore, por mision kombëtar për një nga hallkat e ekonomisë sonë që të gjithë njerëzit të marrin fillimisht informacion të plotë se ku ndodhen.

Kontrollet do të lënë porosi dhe do të rikthehen për të parë zbatimin. Ne duhet të krijojmë sistemin e qëndrueshëm, por edhe mbështetëse të çdo sipërmarrjeje që nuk po shkel ligjin, por ka nevojë të rrisë standardet”, tha Rama.