Vendosni fjalën kyçe....

“Kërkojini Presidentit të thërrasë urgjentisht Këshillin e Sigurisë”- Mediu


Deputeti Fatmir Mediu i kërkoi Presidentit të Republikës thirrjen urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, pas njoftimit të ambasadës amerikane për kërcënime të mundshme iraniane në territorin shqiptar.

“Unë i kërkoj Presisdentit të Republikës të thërrasë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të analizuar një situatë që smund të kapërcehet thjesht me deklarime në Kuvend, as me politizimin e kësaj çështjeje. Ju kërkoj edhe ju z. kryetar që ti kërkoni presidentit të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare”, tha Mediu.

Sipas Mediut, situata kërkon analizë serioze për shkak të pranisë së opozitës iraniane në Shqipëri, ndërprerjes së marrëdhënieve me Iranin dhe qëndrimeve të Kuvendit ndaj këtij shteti.

“Deklarata e djeshme e ambasadaës nuk është vetëm thirrje që ka të bëjë me qytetarët amerikanë, por ka të bëjë me territorin e Shqipërisë dhe vjen nga shërbime inteligjente sau përket kërcënimeve në territorin e Shqipërisë.

Them të kthehemi dhe ta mendojmë veten  si vend anëtar i NATO-s, i vetmi vend që nuk arrin të mbledhë Këshillin e Sigurisë.

Është naive deri idioteske që të dalim me qëndrime që duke qenë vend anëtar i NATOS-s e kemi garantuar vendin tonë nga çdo gjë”, tha Mediu.

Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i bëri thirrje deputetit të tregojë përgjegjësi në deklarata, duke paralajmëruar se mesazhe të tilla mund të shkaktojnë panik në opinionin publik.

“Edhe unë ju bëj thirrje shumë serioze që si politikan i vjetër, me eksperiencë, të ngriheni në lartësinë e përgjegjësisë të fjalëve që thuhen këtu nga ne sepse shumë shpesh mund të jenë të frymëzuara edhe për qëllime të kapitalit politik, por kanë pasoja shumë të mëdha në opinionin publik sepse merren seriozisht, mund të shkaktojë panik dhe efekte anësore. Mirë është që thirrje të tilla serioze t’i konsultojmë në biseda jo publike”, tha Peleshi.