
Erion Braçe, përmes një reagimi në rrjetet sociale këtë të martë iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjeve të shumta që ka marrë ditët e fundit, duke theksuar se ambicia e tij për të kandiduar në zgjedhjet vendore të ardhshme është serioze dhe jo personale.
Ai shtoi se synon të zhvillojë qytetin në një mënyrë përfshirëse dhe për të mirën e të gjithëve.
“Nuk më ka ndodhur ndonjëherë në një proces të mëparshëm apo qëndrim timin të mëparshëm që të vijë ky fluks mesazhesh. Kam parë që ka një pyetje që përsëritet shpesh ‘ a e ke seriozisht apo po tallesh me njerëzit?’
Unë nuk tallem kurrë me njerëzit, se kam bërë kurrë dhe nuk ka gjasë që të ndodhë me mua.
Asnjëherë! Po e kam seriozisht dhe do i shkoj deri në fund me ju bashkarisht.
Nuk është ambicia ime personale, nuk është interesi im personal por mendoj që kemi një mundësi shumë të madhe për ta zhvilluar këtë qytet në një dimension të ri, përfshirës, dhe ku gjithësecili gjen jo thjesht veten dhe jetën e tij por të mirën e tij” tha Braçe.
Vetëm pak ditë më parë, gjatë Asamblesë së njësisë nr. 5 në Tiranë, Braçe shpalli ambicien për të qenë kandidat i Partisë Socialiste në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, duke theksuar se nuk kërkon një post, por mundësinë për të punuar për qytetin.