
Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, ka denoncuar nga Kryesia e Kuvendit projektin e njohur si “Durana”, duke e cilësuar atë si një nismë të paqartë, jo transparente dhe në kundërshtim me standardet e Bashkimit Evropian.
Bozdo bëri të ditur se që prej 13 janarit i është drejtuar me kërkesë zyrtare ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit për informacion mbi kompanitë e regjistruara virtualisht në Parkun Teknologjik të Duranës në Xhafzotaj, përfshirë pronarët dhe përfitimet fiskale. “Dhënia e këtij informacioni është e detyrueshme brenda 15 ditësh, ndërsa po bëhen tashmë afro 3 muaj dhe ky informacion nuk jepet qëllimisht”, u shpreh ai, duke e cilësuar këtë si shkelje të ligjit për Statusin e Deputetit dhe të standardeve minimale të transparencës.
Ai paralajmëroi se maxhoranca po tenton të kalojë me shpejtësi një projektligj të ri që ndryshon thelbësisht ligjin për parqet teknologjike, pa konsultim publik dhe pa transparencë. Sipas Bozdos, një nga shqetësimet kryesore lidhet me legalizimin e konceptit të “regjistrimit virtual”, që sipas tij deri më tani ka qenë i paligjshëm.
“Dhënia e lehtësive fiskale për regjistrim virtual është një praktikë që Bashkimi Evropian e ndalon, madje e lufton nëpërmjet standardit BEPS, të OECD”, theksoi ai, duke shtuar se çdo lehtësi duhet të lidhet me aktivitet real, punësim konkret dhe shpenzime të verifikueshme.
Deputeti demokrat ngriti gjithashtu shqetësime për rrezikun e marrëveshjeve jo transparente mes enteve publike dhe kompanive private. “Projektligji hap derën plotësisht për marrëveshje të brendshme të shitblerjes së aksioneve, jo transparente… gjë që mund të sjellë lehtësisht situata të dëmtimit të interesave publike në favor të interesave private”, u shpreh ai.
Në lidhje me përfshirjen e qendrave të të dhënave në park, Bozdo theksoi se ky sektor kërkon një kuadër të posaçëm ligjor dhe përputhje me direktivat evropiane për energjinë, sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave personale. “Ky aktivitet nuk mund të përfshihet në Park, sepse më parë duhet të rregullohet me një legjislacion të veçantë”, tha ai.
Në përfundim, Bozdo akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për miratim të ligjeve pa konsultim dhe në kundërshtim me detyrimet ndaj BE-së, duke rrezikuar procesin e integrimit. “Procesi i integrimit mbetet pa asnjë vlerë dhe pa asnjë kuptim nga veprimet e kësaj maxhorance… Për fat shumë të keq, faktet e përditshme tregojnë të kundërtën”, u shpreh ai.