Vendosni fjalën kyçe....

PD denoncon ndërtimin e resortit në Gjirin e Manastirit



Partia Demokratike ka denoncuar publikisht ndërtimin e një resorti në zonën e Manastirit, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit. Zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, theksoi se ky projekt ngre dyshime serioze për ndërhyrje të qëllimshme në procesin shkencor arkeologjik dhe favorizim të interesave private.

Sipas Vangjelit, ndërtimi ka transformuar përgjithmonë Gjirin e Manastirit, që ndan Detin Jon me Liqenin e Butrintit, duke shkatërruar potencialin arkeologjik të zonës, përfshirë një zbulim të vitit 2010. Investigimi i Qendrës ‘Amfora’ evidenton se kompania zhvilluese nuk ka respektuar monitorimin arkeologjik dhe është gjetur në shkelje nga një vlerësim i UNESCO-ICOMOS.

“Ndërtimi i resortit në zonën e Manastirit ngre dyshime serioze për ndërhyrje të qëllimshme në procesin shkencor arkeologjik, me synim favorizimin e interesave private. Ky projekt ka shkatërruar potencialin arkeologjik dhe natyror të Parkut Kombëtar të Butrintit”, u shpreh Vangjeli.