Ka nisur protesta e organizuar nga Partia Demokratike, ku kreu i saj, Sali Berisha, i shoqëruar nga deputetë dhe mbështetës, ka marshuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku janë bashkuar me protestues të tjerë.
Një element që ka tërhequr vëmendje në këtë protestë është prania jo vetëm e flamujve të Partisë Demokratike dhe të Shqipërisë, por edhe e flamujve të Gjermanisë dhe BE-së.
Kjo vjen në një moment kur Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka bllokuar procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Sipas tij, disa vende europiane, përfshirë Gjermaninë, nuk janë më mbështetëse të procesit të integrimit, pas zhvillimeve të fundit politike në vend.
Deklaratat lidhen edhe me atë që opozita e cilëson si “skandalin Balluku”, duke pretenduar se qeveria ka refuzuar kërkesën e SPAK për arrestimin e zyrtares dhe heqjen e imunitetit të saj.
Ndërkohë, deputetët e Partisë Demokratike kanë zhvilluar së fundmi takime në Berlin, në përpjekje për të rritur mbështetjen ndërkombëtare për qëndrimet e tyre. Protesta pritet të vijojë me pjesëmarrje të gjerë në qendër të Tiranës.
