Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Drejtësia nuk ka qenë kurrë e lirë, e pavarur dhe e paanshme


Kryeministri Edi Rama, njëherësh kreu i Partisë Socialiste, deklaroi nga Asambleja e PS-së se sistemi i drejtësisë në Shqipëri është sot më i pavarur se më parë.

Ai u shpreh se në të kaluarën drejtësia nuk ka qenë as e lirë dhe as e paanshme, ndërsa theksoi se qeveria aktuale i ka dhënë fund ndikimit politik mbi të.

Sipas Ramës, pushteti gjyqësor tashmë funksionon i ndarë nga qeveria, edhe pse procesi i reformës kërkon kohë për të dhënë rezultatet e plota.

“Drejtësia është venë në një shtrat të përgjakur dhe të ndyrë. Më parë, ajo nuk ka qenë kurrë e lirë dhe as e pavarur, e paanshme jo e jo.

Me vjen keq që ta them për ata që e kërkojnë nga ne dhe për ata që na akuzojnë, s’ka të bëjë fare me ne. Ne e kemi dorëzuar shpatën e pushtetit gjyqësor te pushteti gjyqësor.

Kemi qeverinë e vendit, por jo të sistemit të drejtësisë. Ne nuk kemi pasur ndonjëherë, të paktën unë jo, por dhe të tjerë, që i kam ndarë këto çështje lidhur me këtë temë, iluzionin që gjithçka do të funksiononte sahat, në një kohë kaq të shkurtër.

Gjërat nuk do të shkonin siç duhet të shkojnë, se s’kanë si shkojnë ndryshe kur ngrihen institucione të reja. Një gjë dua ta përsëris, fjala e mençur e fqinjëve tanë nga tjetër e Adriatikut, që thonë; bebja nuk mund të hidhet kurrë poshtë, bashkë me ujin e pisët, duhet të na udhëheqë në këtë rrugë.

Durimi ynë duhet të jetë heroik, përballë gjithë llumit që na vjen nga të katra anët, për të cilët skam asnjë dyshim, ku historia do të mbajë mend vetëm PS.

Do të mbajë mend këtë kohë dhe të pavarësisë, të gjitha të tjerat do t’i marrë era. Por ndërkohë ne jemi në këtë kohë, jemi PS dhe duhet të përballemi me llumin që vjen drejt nesh, me gjithfarë akuzash dhe shprehjesh të barbarisë që karakterizon një periudhë ku demokracia është ende një qenie në formim e sipër dhe jo plotësisht e formuar.

Është e bukur se si është kthyet historia se ata dilnin dhe thonin; kjo është lojë!”, tha ai.