
Policia e Tiranës ka goditur një grup kriminal të përfshirë në trafikimin dhe shitjen e armëve të zjarrit, të cilat dyshohet se silleshin kryesisht nga Mali i Zi dhe shiteshin në zonën e Freskut.
Në kuadër të operacionit të koduar “Rotondo”, u arrestuan në flagrancë shtetasit Donati Jaku, 31 vjeç, banues në Shkodër, dhe Florian Gjeta, 22 vjeç, banues në fshatin Domje.
Sipas policisë, operacioni u finalizua pas një hetimi dy mujor të kryer me metoda proaktive nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, me objektiv goditjen e veprimtarive kriminale të trafikimit dhe shitjes së armëve të zjarrit.
Gjatë operacionit, automjeti tip “Volkswagen” që drejtonte 22-vjeçari, ku pasagjer ishte edhe Jaku, u ndalua për kontroll në vendin e quajtur “Rrethi i Freskut”, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë.
Nga kontrolli në automjet u gjetën dhe u sekuestruan 6 armë zjarri, pistoleta të markës Sig Sauer, të cilat dyshohet se ishin trafikuar nga Mali i Zi me qëllim shitjen në këtë zonë. Po ashtu, u sekuestruan edhe automjeti dhe 4 telefona celularë.
Në vijim të hetimeve është identifikuar dhe shpallur në kërkim edhe një bashkëpunëtor i dyshuar i të arrestuarve, shtetasi me inicialet E. S.
Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e tij, ndërsa në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës po vazhdojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.