
Garda Revolucionare e Iranit deklaroi të martën se nuk do të lejojë që “asnjë litër naftë” të dërgohet nga Lindja e Mesme nëse vazhdojnë sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.
Presidenti amerikan, Donald Trump, u zotua se Irani do të goditet shumë më fort nga sa është goditur deri tani nëse përpiqet të bllokojë eksportet nga rajoni jetik për prodhimin e energjisë, përcjell Reuters.
Lufta ka bërë tashmë që Ngushtica e Hormuzit të mbetet praktikisht e mbyllur, duke lënë cisternat e naftës të paafta për të lundruar për më shumë se një javë dhe duke detyruar prodhuesit të ndalojnë pompimin, ndërsa depot e magazinimit po mbushen.
Komentet e Trump-it erdhën pasi tregjet financiare globale pësuan luhatje të forta të hënën, për shkak të shqetësimeve se aparati i sigurisë iraniane po rreshtohej pas udhëheqësit të ri suprem, Mojtaba Khamenei, dhe nuk ishte i gatshëm të tërhiqej në një kohë të afërt.
Trump-i deklaroi se Shtetet e Bashkuara i kanë shkaktuar dëme serioze ushtrisë iraniane. Ai parashikoi gjithashtu se konflikti do të përfundojë shumë më herët se afati fillestar katërjavor që kishte përmendur më parë, megjithëse nuk ka sqaruar se çfarë do të përbënte një “fitore”.
Sinjalet kontradiktore kanë shkaktuar lëkundje të forta në tregje: çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm, ndërsa bursat fillimisht ranë, përpara se të rikuperoheshin sërish.
Sipas ambasadorit të Iranit në OKB, të paktën 1,332 civilë iranianë janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur që nga fundi i shkurtit, kur SHBA dhe Izraeli nisën një valë sulmesh ajrore dhe raketore në të gjithë territorin e Iranit.