Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka akuzuar në Kuvend ministren e Arsimit, Mirela Kumbaron, dhe deputeten Evis Kushi se mazhoranca ka vjedhur dhe ndryshuar projektligjin e propozuar nga opozita për trajtimin e barabartë të mësuesve, duke e lënë atë “gjysmak”.
Zhupa tha se projektligji i përgatitur nga PD-ja synonte të shmangte diskriminimin për mësuesit, por mazhoranca e ndryshoi në mënyrë që të mos përfshinte përfitimet e plota.
“Më përmendi 200 herë se është edhe ndjenja e fajit të një projektligji të vjedhur dhe të përçunduar. Se ta kishte vjedhur tamam dhe ta kishte bërë tamam, do e kisha votuar edhe unë. Se këta e vodhën, e përçunduan dhe tani thonë hajde votojeni ju gjysmë përgjysmë për mësuesit,” deklaroi Zhupa.
Akuza të ngjashme ngriti edhe deputetja e Partia e Lirisë, Erisa Xhixho, e cila shtoi se projektligji i opozitës trajtonte qartë pagat dhe nuk lejonte diskriminim. Sipas saj, ministrja Kumbaro nuk ka marrë pjesë në seancë dhe nuk ka dhënë sqarime, ndërkohë që pagat e 11 mijë mësuesve janë ulur me 2 deri 6 mijë lekë të reja.
Deputetja socialiste Evis Kushi ka propozuar një shtesë në Ligjin për Arsimin Parauniversitar, për të rregulluar trajtimin financiar të mësuesve që janë diplomuar para hyrjes në fuqi të sistemit të Bolonjës.
Sipas ndryshimit ligjor, njohja e diplomave të marra para “Bolonjas” do të vlejë për efekt page, duke synuar përfitimin e të njëjtës trajtim financiar si mësuesit me diplomë 3+2.
