
Kryedemokrati Berisha bëri përgjegjëse qeverinë për shembjen e rrugës Librazhd-Përrenjas. Në një takim me demokratët e Durrësit, ai tha se kryeministri Rama është përgjegjës edhe për përmbytjet në Durrës me zhvendosjen e hidrovorit.
Sipas tij, gërryerja e shtratit të lumit Shkumbin dhe marrja e zhavorrit ndikoi në prishjen e rrugës.
“Kush i vodhi 42 milionë për pastrimin? Kush e spostoi hidrovorin në kundërshtim me të gjitha kondicionet e hidrovoreve? Që të gjithë pronësi shtetërore të vjedhura nga vetë shteti. Këta që qeverisin sot shqiptarët, sillen si pushtuesit më të egër që kanë njohur ndonjëherë”, tha ai, duke shtuar: “Ata që kanë ndërtuar atë rrugë kanë ndarë paratë me qeveritarët. Të gjitha rrugët u shembën dhe askush nuk ka përgjegjësi. Thonë na i shembi natyra. Dhanë lejen për të gërryer shtratin e Shkumbinit dhe për të hedhur rrugën që është të paktën 70-vjeçare. U shemb edhe tuneli, por e fshehën tunelin e shembur. Sa të rrezikshëm dhe sa të pamëshirë janë. Një përzierje, mafie shtetërore e zyrtarëve me mafiozë të tjerë që rëndojnë mbi shpatullat e trupin tonë dhe largojnë shqiptarët nga Shqipëria”, tha Berisha.