Ish-presidenti Ilir Meta ka depozituar kërkesë tjetër në Gjykatën e Posaçme, ku ka kërkuar zëvëndësim të masës së sigurisë.
Pak ditë më parë Meta depozitoi rekurs edhe në Gjykatën e Lartë, ku ankimoi vendimin e Apelit të GJKKO-së, i cili e la në qeli.
Meta ka argumentuar se nuk ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore për ta mbajtur në paraburgim. Kreu i PL-së pretendon se masa ‘arrest me burg’ është e pajustifikuar dhe jo-proporcionale në raport me rrethanat e çështjes.
Meta kërkoi në 30 janar 2026 në Apelin e GJKKO-së zëvendësimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’ me një masë më të butë sigurie, por kjo kërkesë u rrëzua.
Kujtojmë se Meta është në qelinë e paraburgimit 313 në Tiranë që prej tetorit 2024.
Ish-presidenti i Shqipërisë po hetohet për 3 çështje aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror. Tashmë SPAK ka mbyllur hetimet dhe dosja e tij është dërguar për gjykim.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, të kryer në bashkëpunim, ndërsa Fatime Kryemadhi për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.
Meta gjithmonë i ka mohuar akuzat, duke pretenduar se arrestimi i tij ka motive të qarta politike.
