Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mbajti një fjalim në Kuvendin e Maqedonia e Veriut, ku theksoi se integrimi europian i Tiranës dhe Shkupit është një objektiv i përbashkët dhe një rrugëtim strategjik që kërkon bashkëpunim të ngushtë mes dy vendeve fqinje.
Në fjalën e tij, Begaj nënvizoi se marrëdhëniet dypalëshe dhe roli i komuniteteve përkatëse në të dy vendet përbëjnë një bazë të fortë për afrimin me Bashkimin Europian.
“Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe maqedonasit në Shqipëri janë urë e fortë miqësie mes dy vendeve tona. Bashkëpunimi rajonal mbetet element kyç në afrimin tonë me BE. Integrimi evropian nuk është vetëm objektiv i Shqipërisë, por rrugëtim strategjik i vendeve tona. Zgjerimi nuk është kosto për Evropën. Evropa nuk është vetëm destinacion, është standard. Maqedonia e Veriut ka bërë zgjedhje të guximshme, ka marrë vendime të vështira për të ecur përpara, dhe Shqipëria ju mbështet pa ekuivok”, u shpreh kreu i shtetit.
Presidenti theksoi se procesi i integrimit kërkon përmbushje të reformave dhe forcim të bashkëpunimit rajonal, duke e konsideruar këtë si një faktor kyç për stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë të rajonit.
