
Kryeministri Edi Rama vijoi kritikat ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke theksuar se magjistratët duhet të përqendrohen te përmbajtja e mesazheve dhe jo te personi që i artikulon ato.
Në deklaratën e tij, Rama u shpreh se përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë paguhen “si frëngu pulën” dhe për këtë arsye duhet të bëjnë detyrën me përgjegjësi, në funksion të qeverisjes së sistemit dhe jo të reagimeve publike ndaj deklaratave politike.
Kreu i qeverisë rikujtoi edhe sulmet e dikurshme të ish-kryeministrit Sali Berisha ndaj ish-kryeprokurores Ina Rama, duke thënë se në atë kohë nuk pati reagime nga sistemi i drejtësisë.
“Ku ishin fshehur kur Berisha e ngrinte puçistë dhe e ulte ‘lavire bulevardi’ kryeprokuroren? Tani po hyjmë në Europë. Tani, sot në këtë kohë atij që s’u bë dot pasardhësi im pasi ishte paraardhësi im, nuk ia artikulojnë dot gjysmë llafi edhe pasi del dhe i lexon prokurorit më kurajoz librin e shtëpisë. Ndaj u sugjeroj të merren me mesazhin, jo mesazherin, se paguhen nga taksat e shqiptarëve si frëngu pulën me 500 këshilltarë dhe sekretari që të qeverisin sistemin e drejtësisë e jo të ankohen për kërcënime inekzistente”, tha Rama.
Ai theksoi se mazhoranca nuk do të ndërhyjë në çështjet e drejtësisë, por shtoi se ka të drejtë të reagojë kur, sipas tij, problematika serioze nuk trajtohen siç duhet. Rama përmendi raportin e Komisioni Europian për kushtet e paraburgimit në Shqipëri, duke u shprehur se është shqetësuese që nuk merren masa konkrete për adresimin e rekomandimeve.
“Kurrë nuk do të ndërhyjmë ne në çështjet e drejtësisë. Por kur unë ngre zërin se më vjen turp kur lexon raportin e KE për të paraburgosurit në Shqipëri dhe nuk bëhet asgjë për ta trajtuar me seriozitet, përkundrazi e vetmja gjë që i bën të ndjehen se ekzistojnë janë deklaratat për mua, kjo është për të vënë duart në kokë. Po bëhen ca si shumë këto arsyet për të vënë duart në kokë”, u shpreh kryeministri.
Deklaratat e tij pritet të nxisin reagime nga përfaqësues të sistemit të drejtësisë dhe aktorë të tjerë politikë, në një moment kur marrëdhëniet mes politikës dhe institucioneve të reja të drejtësisë mbeten në vëmendje publike.