
Një segment prej rreth 400 metrash në aksin rrugor Vlahinë–Poçëm, pjesë e një rruge totale 15 kilometrash, ka pësuar dëmtime serioze vetëm një vit pas përfundimit të punimeve. Problemet janë vërejtur pranë fshatit Karbonar, ku gjendja e rrugës paraqet rrezik të lartë për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve.
Në terren vihet re qartë prirja për shkarje të tokës, veçanërisht në zonën afër Vjosës, që besohet të ketë kontribuar drejtpërdrejt në amortizimin e segmentit. Asfalti është pothuajse i shkatërruar, ndërsa në disa pjesë kanë dalë çarje dhe deformime të theksuara, duke vështirësuar qarkullimin dhe rritur rrezikun për aksidente.
Situata është edhe më shqetësuese për shkak të një banese të vendosur mbi këtë segment rrugor, e cila rrezikon shembjen për shkak të lëvizjes së dheut. Banorët e zonës shprehen të alarmuar dhe theksojnë se dëmtimet po përkeqësohen çdo ditë. Ata konsiderojnë të papranueshme degradimin e një investimi vetëm njëvjeçar, që jo vetëm minon sigurinë e qarkullimit, por edhe jetën e qytetarëve.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, duke përfshirë stabilizimin e terrenit, ndërtimin e mureve mbajtëse, sistemimin e skarpateve dhe rehabilitimin e plotë të segmentit të dëmtuar. Po ashtu, kërkohen masa konkrete për mbrojtjen e banesave pranë zonës.
Derisa masat e nevojshme të merren, drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes maksimal gjatë kalimit në këtë aks rrugor.