
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paralajmëroi kryeministrin Edi Rama se nëse sulmohet selia e PD-së, siç ndodhi dje me gaz lotsjellës, do të ketë kundërsulme ndaj selive të Partisë Socialiste në të gjithë vendin.
“Dje është sulmuar selia e PD. I garantoj Ramës se sulmet ndaj selisë së PD do të sjellin sulme ndaj selive të PS në të gjithë vendin. Ndaj hiq dorë nga kjo betejë si kryetar i organizatës kriminale. Nëse sulmoni selinë e PD, do ju përgjigjet PD siç e meritoni,” tha Berisha gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale.
Ai gjithashtu kritikoi policinë për përdorimin e plumbave të gomës gjatë protestës së opozitës, duke thënë se mbi 50 persona janë shoqëruar, disa prej të cilëve nuk kishin marrë kurrë pjesë në protesta.
“Disa policë u sollën me rrugaçëri, si patronazhistë dhe kriminelë. Një pjesë e mirë e policisë po kupton se mbrojtja e hajdutëve nuk është pjesë e ligjit. I ftoj policët të bashkohen me demonstruesit,” tha Berisha, duke e cilësuar Ramën si “armik të egër të kombit shqiptar”.