
Kryebashkiaku i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se mospërfshirja e buxhetit të Prishtinës në Projektligjin për Ndarjet Buxhetore është cenim i rendit kushtetues.
Në një konferencë për media ka thënë se kjo është bërë pa arsyetim, duke e quajtur neglizhencë administrative dhe cenim të drejtpërdrejt të rendit kushtetues.
“Çdo ndërhyrje apo përjashtim arbitrar është shkelje flagrante e autonomisë lokale dhe e ligjeve për financat publike. Pasojat nuk janë teorike. Ato janë reale dhe të menjëhershme: bllokohen shërbimet publike për qytetarët, ndalen projektet kapitale, paralizohet funksionimi institucional i Kryeqytetit. thënë ai.
Asnjë institucion nuk ka mandat ta vendosë Kryeqytetin jashtë sistemit buxhetor të Republikës. Për këtë arsye, menjëherë i jemi drejtuar zyrtarisht Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe kryetares dhe Kryesisë së Kuvendit duke kërkuar përfshirjen e menjëhershme dhe të plotë të buxhetit të miratuar të Komunës së Prishtinës para votimit final të Ligjit për Buxhetin 2026. Po ashtu, i jemi drejtuar Ministrisë së Financave me kërkesë të qartë: të paraqesë me shkrim bazën ligjore të kësaj mos-përfshirjeje, të korrigjojë menjëherë këtë shkelje, dhe të japë përgjigje brenda afatit ligjor”, ka thënë Rama.