Vendosni fjalën kyçe....

Vendi evropian me më pak se 200 ujqër lehtëson vrasjen e tyre, miraton ligjin në parlament


Parlamenti zviceran pritet të lehtësojë legjislacionin që do lejonte gjuetinë e vrasjene ujqërve. Edhe pse kafsha është në rrezik zhdukjeje në Zvicër, ku besohet se jetojnë ende rreth 200 syresh, sërish ligji pritet të kalojë pasi u miratua paraprakisht 104 me 84 në parlament.

Sipas ligjeve të tanishme, një ujk mund të gjuhet vetëm pasi të shkaktojë një sasi të caktuar dëmi dhe të sulmojë në mënyrë të përsëritur kafshët e fermës. Kantonet gjithashtu duhet të provojnë shkallën e dëmit dhe të justifikojnë masat e kontrollit para qeverisë federale.

Përkrahësit e ndryshimeve kanë argumentuar se popullata e vogël, por në rritje e ujqërve përbën një rrezik në rritje për bagëtinë, ndërsa masat parandaluese, si gardhet dhe qentë, nuk janë efektive. Disa ligjvënës të krahut të djathtë pretenduan se ujqërit paraqesin rrezik edhe për njerëzit.

Rregullat e reja, megjithatë, do lejojnë gjuetinë parandaluese të ujqërve, edhe pse vetëm në rastet kur ata konsiderohen se përbëjnë një ‘kërcënim’ për kafshët që kullosin.

Gjuajtja e ujqërve në përputhje me këto kërkesa do lejohet nga 1 shtatori deri më 31 janar dhe duhet të mbikëqyret nga qeveria federale në këshillim me kantonet.

Tufat e ujqërve u rivendosën në Zvicër në mesin e viteve 1990 pasi ishin zhdukur në vend për më shumë se një shekull, si rezultat i një fushate brutale të vrasjeve në gjithë Evropën Qendrore.

Tani për tani, rreth 180 ujqër, që formojnë rreth 20 tufa, vlerësohet se enden në Zvicër, duke jetuar kryesisht në Alpe.

Sipas grupit zviceran të kafshëve të egra ‘Kora Foundation’, këtë vit priten mbi 1000 sulme të ujqërve ndaj kafshëve të fermës, duke tejkaluar rekordin e vitit 2020, kur u regjistruan 922 incidente të tilla.