
Persona të armatosur mbi motoçikleta kanë vrarë dhjetëra njerëz gjatë sulmeve në agim në tre fshatra të Nigerisë veriperëndimore.
Burra të armatosur qëlluan për vdekje banorët vendas, u vunë zjarrin shtëpive dhe rrëmbyen një numër ende të papërcaktuar njerëzish në shtetin Niger, bëri të ditur për BBC-në Musa Saidu, kreu i Agjencisë Shtetërore të Menaxhimit të Emergjencave (Sema).
Sulmet e së shtunës në mëngjes ndodhën pranë vendit ku dyshohet se ndodhi një masakër xhihadiste në fillim të këtij muaji, në të cilën më shumë se 100 njerëz u vranë në një pritë të ngjashme.
Bandat e armatosura kriminale, të njohura si “banditët”, kanë kryer sulme dhe rrëmbime në Nigeri prej vitesh, duke shënjestruar kryesisht ata në veri-perëndim – por raportet për sulme në pjesë të tjera të vendit janë rritur ndjeshëm kohët e fundit.
Zyrtarët lokalë thanë se banditët mësynë në fshatin Tunga-Makeri herët në mëngjes, përpara se të godisnin fshatrat fqinje Konkoso dhe Pissa. Policia konfirmoi se gjashtë persona u vranë në njërin incident dhe 20 të tjerë në sulmet ndaj Konkoso dhe Pissa.
Deri të shtunën, zyrtarët konfirmuan të paktën 29 të vrarë, por Saidu paralajmëroi se numri i viktimave mund të rritet. Numri i të rrëmbyerve mbetet gjithashtu i panjohur sepse shumë banorë braktisën shtëpitë e tyre dhe u larguan drejt shkurreve ose komuniteteve fqinje.
“Njerëzit janë të frikësuar sepse nuk mund ta thuash se cili komunitet do të jetë i radhës,” shtoi ai. Një raport sigurie i cituar nga agjencia e lajmeve AFP tha se banditët erdhën me 41 motoçikleta, secila prej të cilave transportonte dy ose tre burra.
Abdullahi Rofia, një banor i Agwara-s fqinje, tha për BBC-në se shumë njerëz të zhvendosur janë strehuar në komunitetin e tij, i cili u sulmua vetë dy javë më parë.
“Njerëzit janë aq të traumatizuar sa nuk shkojnë më as në fermë dhe as në treg,” tha ai. “Banditët nuk janë të interesuar për vjedhje apo plaçkitje – ata janë më shumë të interesuar për të vrarë dhe terrorizuar vendasit.”
Autoritetet kanë vendosur masa emergjente, duke përfshirë kufizimin e grumbullimeve natën vonë dhe një “shtetrrethim të pjesshëm” që ndalon qarkullimin e taksive-motoçikleta pas orës 20:00 sipas kohës lokale. Policia konfirmoi se ekipet e sigurisë janë vendosur në terren dhe përpjekjet e shpëtimit po vijojnë.
Udhëheqësit e Nigerisë janë nën presion për të frenuar dhunën, me grupet xhihadiste aktive në veri-perëndim dhe kryengritësit separatistë të bazuar në juglindje të vendit.
Shtetet e Bashkuara ndërmorën sulme ditën e Krishtlindjeve duke shënjestruar militantët islamikë në shtetin verior Sokoto të Nigerisë, dhe Presidenti Donald Trump paralajmëroi për sulme të mëtejshme “nëse ata vazhdojnë të vrasin të krishterët”. Megjithatë, sipas organizatave që monitorojnë dhunën politike në Nigeri, shumë nga viktimat e dhunës xhihadiste janë myslimanë.
Një zyrtar nigerian i tha BBC-së muajin e kaluar se 200 banditë të dyshuar ishin vrarë në një operacion në shtetin qendror Kogi. Ky operacion erdhi pasi më shumë se 250 fëmijë dhe stafi i tyre u rrëmbyen nga një shkollë katolike në Papiri, në një nga rrëmbimet masive më të mëdha kohët e fundit, lirimi i të cilëve u sigurua më vonë.