Vendosni fjalën kyçe....

Tre të pandehur për ryshfet dhe ndikim të paligjshëm, SPAK dërgon çështjen në gjykatë



Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 196 të vitit 2025, ndaj tre të pandehurve:

  • Zef Mali, akuzuar për “Ushtrimin e ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim;

  • Kreshnik Domi, akuzuar për të njëjtën vepër penale në bashkëpunim;

  • Jemine Çoku, akuzuar për “Ushtrimin e ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Hetimet kanë dokumentuar se Zef Mali, në bashkëpunim me Kreshnik Domin, i kanë kërkuar dhe marrë të pandehurës Jemine Çoku një shumë prej 20,000 eurosh si përfitim të parregullt. Sipas Prokurorisë, e pandehura u ka dhënë këtë shumë për të siguruar ndikim tek funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë, me qëllim transferimin në Shqipëri të vëllait të saj, Kujtim Çeliku, i dënuar në Turqi.

Gjatë periudhës janar–tetor 2025, të pandehurit kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me të pandehurën dhe familjarë të saj, duke premtuar ndihmë për zgjidhjen e procedurës ligjore. Hetimet kanë evidentuar gjithashtu fillimin e ndjekjes së procedurës nga Ministria e Drejtësisë për transferimin e të dënuarit në Shqipëri.

Zef Mali në kohën e veprimeve ishte oficer i Shtabit për Menaxhimin e Forcave në Gardën e Republikës, ndërsa Kreshnik Domi rezulton të ketë qenë një lidhje shoqërore e tij. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Posaçme për veprime të mëtejshme gjyqësore.