Vendosni fjalën kyçe....

Policia greke arreston 28 pjesëtarë të një organizate nacionaliste, mes tyre 13 të mitur


Policia greke ka realizuar një operacion të madh gjatë së mërkurës, duke arrestuar 28 persona të dyshuar për lidhje me një organizatë nacionaliste në Selanik. Sipas informacionit të policisë, mes të arrestuarve janë 15 të rritur dhe 13 të mitur, të cilët dyshohet se janë pjesëtarë të “Rinisë Nacionaliste të Selanikut”. Gjithashtu, një i mitur që është identifikuar përfshihet në këtë grup dhe është shpallur në kërkim jashtë vendit.

Midis të arrestuarve është edhe kreu i organizatës. Ata dyshohen për përfshirje në aktivitete të ndryshme kriminale, duke përfshirë vjedhje, dhunë me karakteristika raciste dhe nxitje të akteve të dhunshme. Autoritetet kanë identifikuar përfshirjen e tyre në disa raste të vitit 2024 dhe 2025.

Sipas hetimeve, disa nga të arrestuarit janë të lidhur me përplasjen që ndodhi gjatë marshimit për në Tempi më 28 shkurt 2025, kur individë me flamuj grekë u përleshën me persona nga grupe anarkiste jashtë Stacionit të Ri Hekurudhor të Selanikut. Përveç kësaj, ata dyshohet se janë të përfshirë në shkruarjen e sloganeve nacionaliste dhe raciste nëpër shkollat e qytetit.

Organizata ka nisur aktivitetet e saj në vitin 2019, ka ndërprerë veprimtarinë gjatë periudhës së pandemisë dhe ka rifilluar pas vitit 2024.

Arrestimet u realizuan nga Sigurimi i Shtetit në mëngjesin e së mërkurës, kur policia zhvilloi kontrolle në shtëpitë dhe lokalet e të dyshuarve. Dy prej arrestimeve u realizuan në zonën e Evangelistrisë në Selanik.