
Në Prishtinë mbahet sot “Dita e Biznesit Francez në Kosovë”, edicioni i parë i një forumi të nivelit të lartë që synon fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik dhe promovimin e investimeve ndërmjet Kosovës dhe Francës. Ngjarja organizohet nga Këshilli i Investitorëve Evropian, në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në Kosovë.
Forumi hapet me fjalë përshëndetëse nga Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian, Emrush Ujkani, Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, si dhe përfaqësues të institucioneve qeveritare.
Gjatë ditës do të zhvillohen panele tematike mbi potencialin e sektorit financiar në Kosovë, tranzicionin energjetik dhe agjendën e gjelbër, partneritetet publiko-private në sektorë strategjikë, si dhe zhvillimin e teknologjisë dhe inovacionit. Në diskutime marrin pjesë përfaqësues nga Banka Qendrore e Kosovës, Banka Botërore, BERZH-i, Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD), si dhe investitorë dhe kompani vendore e ndërkombëtare.
Ngjarja do të përmbyllet me sesione rrjetëzimi, duke ofruar mundësi konkrete bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, investitorëve dhe bizneseve nga Kosova, Franca dhe rajoni.