
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar ligjin për zgjatjen me një vit të programit të preferencave tregtare për vendet afrikane, duke rikthyer aksesin pa tarifa doganore në tregun amerikan deri në fund të vitit 2026, njoftoi të martën Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së për DW.
Sipas Përfaqësuesit të Tregtisë, Jamieson Greer, rinovimi i Aktit të Rritjes dhe Mundësive Afrikane (AGOA) zbatohet në mënyrë retroaktive nga 30 shtatori 2025, kur programi kishte skaduar, deri më 31 dhjetor 2026. Ai shtoi se gjatë këtij viti zyra e tij do të punojë me Kongresin për modernizimin e AGOA-s, në përputhje me politikën tregtare “America First”.
“AGOA për shekullin e 21-të duhet të kërkojë më shumë nga partnerët tanë tregtarë dhe të sigurojë më shumë akses në treg për bizneset, fermerët dhe blegtorët amerikanë,” u shpreh Greer.
AGOA, e miratuar fillimisht në vitin 2000, u lejon vendeve të kualifikuara të Afrikës Subsahariane të eksportojnë mbi 1.800 produkte në SHBA pa tarifa doganore. Për të përfituar nga ky regjim, vendet duhet të tregojnë përparim në ndërtimin e ekonomive të tregut, respektimin e shtetit të së drejtës, heqjen e barrierave ndaj tregtisë dhe investimeve amerikane, luftën kundër korrupsionit, uljen e varfërisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Të dhënat e Komisionit Amerikan të Tregtisë Ndërkombëtare tregojnë se në vitin 2024, përmes AGOA-s u eksportuan mallra në vlerë 8.23 miliardë dollarë, ku rreth gjysma e tyre vinin nga Afrika e Jugut, ndërsa Nigeria kontribuoi me rreth një të pestën.
Skadimi i programit në shtator të vitit të kaluar kishte shkaktuar ndërprerje të flukseve tregtare dhe rrezik për mijëra vende pune në Afrikë. Fillimisht, Dhoma e Përfaqësuesve kishte miratuar një zgjatje trevjeçare, por Senati e reduktoi atë në një vit, vendim që u pranua edhe nga Dhoma.
Zgjatja e AGOA-s vjen në një kohë tensionesh në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Afrikës së Jugut. Administrata Trump ka akuzuar më herët qeverinë e Pretorias për diskriminim ndaj pakicës së bardhë, akuza që autoritetet sudafrikane i kanë mohuar. Megjithatë, ministri i Tregtisë i Afrikës së Jugut, Parks Tau, e ka përshëndetur vendimin për zgjatjen e programit tregtar.