
Udhëtarët në mbarë Gjermaninë u përballën të hënën me temperatura nën zero dhe stacione bosh, pasi dhjetëra mijëra punonjës të transportit publik dolën në grevë, duke ndalur shërbimet e autobusëve dhe tramvajeve në shumicën e qyteteve, përcjell Reuters.
Greva u thirr nga sindikata Verdi, e cila përfaqëson rreth 100 mijë punonjës të transportit, pas dështimit të bisedimeve me punëdhënësit komunalë dhe ata të landeve për kushtet e punës. Sindikata kërkon turne më të shkurtër, pushime më të gjata mes ndërrimeve dhe pagesa më të larta për punën gjatë natës dhe fundjavave, në një kohë kur bashkitë përballen me kufizime buxhetore.
Aksioni sindikal prek rreth 150 kompani komunale të transportit në 15 nga 16 landet federale të Gjermanisë, përfshirë Berlinin, Hamburgun dhe Bremenin. “Greva ka nisur sipas planit dhe tani operatorët e transportit pritet të rikthehen në tryezën e negociatave”, deklaroi për radion rbb Serat Canyurt, negociatori kryesor i Verdi-t.
Në qytete si Shtutgarti, Karlsruhea dhe Freiburgu, shërbimet e transportit publik u ndalën për gjithë ditën. Temperaturat nën zero e përkeqësuan situatën për udhëtarët, të cilët u detyruan të kërkojnë alternativa të tjera për të lëvizur.
Ndërkohë, kompania hekurudhore Deutsche Bahn bëri të ditur se trenat urbanë S-Bahn dhe shërbimet e distancave të gjata po funksionojnë normalisht, pasi punonjësit e saj nuk përfaqësohen nga sindikata Verdi.
Bisedimet mes palëve kanë qenë të tensionuara, me sindikatën që akuzon autoritetet lokale se po kërkojnë shkurtime përfitimesh dhe zgjatje të orarit të punës. Raundi i radhës i negociatave është planifikuar për 9 shkurt, ndërsa Verdi ka paralajmëruar se greva të tjera mund të pasojnë nëse nuk ka lëshime të ndjeshme nga punëdhënësit.