
Kryeministri Edi Rama ka folur ditën e sotme në podkastin e tij “Flasim”, duke komentuar mbi zhvendosjen e zyrës së Kadastrës së Vlorës në Tiranë, dëmshpërblimet për të prekurit nga zjarret e verës 2025 dhe buxhetin e Mbrojtjes për vitin 2026.
Rama tha se zhvendosja e një drejtorie vendore në qendër nuk është e para dhe nuk do të jetë e fundit. Sipas tij, shërbimet kadastrale kryhen kryesisht online përmes platformës E-Albania, duke mos kërkuar paraqitje fizike në zyra.
“Agjencia e Kadastrës ka kaluar prej kohësh nga një shërbim primitiv me sportele dhe radhë në një model shërbimesh online. Ky nuk është i pari si veprim për zhvendosjen e një drejtorie vendore dhe nuk është as i fundit,” tha Rama.
Kryeministri njoftoi se të gjitha dëmshpërblimet për të prekurit nga zjarret në 15 bashki të vendit janë shpallur dhe tashmë janë në dispozicion të qytetarëve të prekur. Rama theksoi rëndësinë që kompensimi të shkojë tek personat që kanë nevojë.
Bashkitë e përfshira janë: Malësi e Madhe, Krujë, Rrogozhinë, Peqin, Tepelenë, Delvinë, Has, Kukës, Dibër, Kamëz, Librazhd, Gramsh, Maliq, Finiq dhe Dropull.
“Është krijuar e gjithë korniza për të bërë të mundur që dëmshpërblimi të shkojë aty ku duhet dhe cilido që është dëmtuar të marrë atë që i takon,” tha Rama.
Shefi i Ekzekutivit theksoi se buxheti i Mbrojtjes për vitin 2026 ka tejkaluar objektivin bazë prej 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, të vendosur nga NATO, duke e cilësuar atë më të lartin dhe më seriozin në historinë e vendit.
Rama shtoi se ky buxhet nuk fokusohet vetëm te modernizimi dhe blerja e pajisjeve, por synon ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme ushtarake dhe industriale në vend, me bazë vendore të industrisë së mbrojtjes, investime në prodhim dhe eksport, transferim teknologjie dhe krijim të vendeve të punës cilësore.
“Është një Shqipëri tjetër me fuqi të tjera për të bërë të mundur që në sektorin e mbrojtjes shteti të mos thjesht shpenzojë, por të fitojë dhe të riinvestojë,” tha Rama.