Vendosni fjalën kyçe....

HEC-et koncesionare prodhojnë vetëm 20% të energjisë në kontrata


Me qindra hidrocentrale (HEC) të ndërtuara në të gjithë vendin përmes 186 kontratave koncesionare që nga viti 2013 kanë arritur të prodhojnë vetëm rreth 20% të energjisë së projektuar në momentin e nënshkrimit. Të dhënat janë kalkuluar nga Ministria e Financave dhe i referohen vetëm HEC-eve që janë aktualisht në punë dhe që raportojnë prodhim energjie.

Sipas raportit të fundit përmbledhës për kontratat koncesionare, mesatarja totale e prodhimit për periudhën 2013–2024 rezulton në 9,374,155,094 kwh në vit, ose vetëm 20% e sasisë së kërkuar sipas parashikimeve kontraktuale.

Vetëm gjatë vitit 2024, prodhimi arriti në 2,464,766,525 kWh, që përfaqëson rreth 26% të objektivit të vendosur.

Megjithëse këto hidrocentrale kanë kontribuar në rritjen e sigurisë së furnizimit me energji në vend, performanca e tyre financiare dhe teknike mbetet problematike. Sipas Ministrisë së Financave,

HEC-et koncesionare rezultojnë biznese me rrezik të lartë operacional, pasi nuk kanë arritur të përmbushin rreth 60% të kritereve të prodhimit të përcaktuara në kontrata.

Arsyet kryesore të performancës së dobët lidhen me mungesën e burimeve hidrike të qëndrueshme, ndryshimet klimatike dhe vitet e thata, vlerësimet jo realiste të prurjeve ujore në fazën e projektimit. Gjithashtu shumë nga objektet u përballen me probleme teknike dhe financiare në ndërtim dhe operim. Në disa raste, kapacitetet e instaluara kanë rezultuar më të larta se potenciali real i lumenjve.

Gjatë viteve 2005–2013, në kuadër të procesit të privatizimit të sektorit energjetik, një numër hidrocentralesh të vegjël u privatizuan, ndërsa të tjerë iu dhanë kompanive vendase dhe të huaja përmes kontratave koncesionare të tipit ROT, BOT dhe BOO. Ministria e Financave raporton rreth 186 kontrata aktive që prodhojnë energji, por numri real i HEC-eve në terren është më i lartë, pasi një kontratë përfshin shpesh më shumë se një objekt.

Qëllimi i këtyre kontratave ishte rehabilitimi i hidrocentraleve ekzistuese, operimi i tyre nga privati dhe më pas transferimi tek shteti. Ndër kontratat më të mëdha koncesionare të miratuara janë

“Hidrocentrali i Ashtës” dhe “Kaskada e hidrocentralit të Devollit”, të cilat përfaqësojnë edhe investimet më të mëdha në sektor.

Rezultatet e deritanishme tregojnë se pritshmëritë fillestare për rritjen e prodhimit të energjisë përmes HEC-eve koncesionare kanë qenë dukshëm më optimiste se realiteti në terren, teksa kostoja e tyre në mjedis dhe në bujqësi ka qenë e lartë.

Ndërtimi i objekteve ka ndeshur në protesta të forta nga komunitetit, pasi HEC-et kanë tharë lumenjtë dhe kanë ezauruar ujin si burimin kryesor të jetesës. Dëmet në habitate në zonat ku janë ndërtuar janë të pallogaritshme duke përfshirë edhe parqet kombëtare./Monitor