Vendosni fjalën kyçe....

Shtyhet sërish çështja “Balluku”/ PD: Strategji e koordinuar për të bllokuar SPAK-un



Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur këtë të mërkurë të shtyjë mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ku ishte parashikuar shqyrtimi i kërkesës së SPAK-ut për arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Ky vendim ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, i cili e ka cilësuar këtë zvarritje si një “operacion të koordinuar politik” mes Parlamentit dhe Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur korrupsionin në nivelet më të larta të qeverisjes.

Sipas opozitës, justifikimi i Kuvendit për të pritur një vendim nga Gjykata Kushtetuese përpara se të shprehet për imunitetin është i paligjshëm.

PD argumenton se kërkesa e re e SPAK-ut për masën e arrestit nuk ka asnjë lidhje me procesin që po zhvillohet në Kushtetuese lidhur me pezullimin nga detyra. Për demokratët, si Gjykata Kushtetuese që shtyu vendimin një ditë më parë, ashtu edhe Kuvendi sot, po veprojnë si hallka të të njëjtit zinxhir mbrojtës të komanduar nga kryeministri Edi Rama.

Në reagimin e tij zyrtar, Grupi Parlamentar i PD-së thekson se Gjykata Kushtetuese ka detyrim ligjor ta shqyrtojë këtë çështje me përparësi absolute, duke qenë se procesi ka bllokuar de facto veprimtarinë hetimore të Prokurorisë së Posaçme.

Opozita akuzon mazhorancën se po përdor çdo mekanizëm institucional për të blerë kohë, duke i dhënë mundësi zëvendëskryeministres të ndikojë mbi provat dhe dëshmitarët e çështjes.

Në mbyllje, opozita paralajmëron se çdo vonesë e mëtejshme i shërben vetëm qeverisë për të shmangur llogaridhënien përpara drejtësisë.

Sipas tyre, kjo strategji zvarritëse po lejon vijimin e aferave korruptive që kapin vlerën e miliona eurove, ndërkohë që institucionet që duhet të garantonin ligjshmërinë po kthehen në mburoja politike për zyrtarët e pandehur.