Vendosni fjalën kyçe....

Berisha nga Strasburgu: Terapia konvertuese është agresion ndaj familjes dhe identitetit njerëzor



Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër nga Strasburgu lidhur me debatin mbi identitetin gjinor dhe ato që ai i cilëson si ideologji post-marksiste që po prekin familjen dhe shoqërinë. Përmes një videoje të ndarë nga fjala e tij,

Berisha e dënoi “terapinë konvertuese”, duke e quajtur atë një proces çnjerëzor dhe një agresion ndaj natyrës njerëzore. Ai theksoi se ky qëndrim nuk lidhet me zgjedhjet personale apo orientimin seksual, të cilat deklaroi se i respekton, por me mbrojtjen e identitetit njerëzor nga manipulimet ideologjike.

Sipas liderit të opozitës, situata në Shqipëri është veçanërisht shqetësuese, duke e cilësuar vendin si një “model të shëmtuar” dhe një laborator eksperimental të axhendave ndërkombëtare.

Berisha denoncoi proceset që po ndodhin në arsimin fillor dhe kopshte, ku sipas tij, tekstet dhe materialet vizuale po përdoren për të krijuar pasiguri te fëmijët lidhur me gjininë e tyre. Ai u shpreh se ky manipulim synon që fëmijët të mos dëgjojnë më familjen, duke e quajtur këtë një fatkeqësi që po shoqërohet me ligje që instalojnë një “diktaturë të re ideologjike”.

Në fjalën e tij, Berisha bëri një krahasim me axhendat politike në SHBA, duke përmendur ish-kandidaten Kamala Harris dhe politikat e financimit të ndryshimit të gjinisë për emigrantët.

Ai argumentoi se këto nxitje janë pjesë e një ideologjie të majtë ekstreme që po dikton axhendën globale përmes institucioneve ndërkombëtare dhe shoqërisë civile. Kryedemokrati u bëri thirrje kolegëve ndërkombëtarë të refuzojnë këto ide, jo për të mohuar të drejtat e njeriut, por për të ndaluar përdorimin e fëmijëve për qëllime politike.

Në mbyllje, Berisha rikonfirmoi përkushtimin e tij ndaj të drejtave të njeriut dhe respektin për zgjedhjet individuale, por mbrojti me forcë nevojën për të ruajtur strukturën e familjes dhe identitetin privat.

Ai theksoi se lufta kundër këtyre tendencave është thelbësore për të parandaluar asgjësimin e prezumimit të pafajësisë dhe censurën që, sipas tij, po instalohet përmes këtyre axhendave të reja.