Vendosni fjalën kyçe....

“Mos shihni ëndrra me sy hapur, pa SHBA-në jemi të mbaruar” – Rutte çmonton idenë e një ushtrie evropiane jashtë NATO-s


Shefi i NATO-s, Mark Rutte, hodhi poshtë të hënën thirrjet e disa politikanëve evropianë për krijimin e një ushtrie të veçantë evropiane, të nxitura nga dyshimet mbi angazhimin e Donald Trump-it ndaj sigurisë së kontinentit, shqetësime që u përforcuan edhe nga tensionet lidhur me Groenlandën.

Rutte u tha atyre që mbështesin idenë e një force evropiane të pavarur nga NATO-ja e udhëhequr nga SHBA-ja që të “vazhdojnë të ëndërrojnë”, duke shtuar se presidenti rus Putin do ta “dashuronte” këtë ide, pasi ajo do mbingarkonte ushtritë evropiane dhe do t’i bënte ato më të dobëta.

Gjatë fjalimit të tij në Parlamentin Evropian në Bruksel, Rutte theksoi se kombet evropiane duhet të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre, ashtu siç ka kërkuar Trump, por gjithmonë brenda kornizës së aleancës transatlantike.

Ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares, dhe Komisioneri Evropian i Mbrojtjes, Andrius Kubilius, kanë ngritur javët e fundit mundësinë e krijimit të një force evropiane, por pa iu referuar shprehimisht ndonjë propozimi të caktuar,

Rutte e injoroi idenë në përgjithësi, duke këmbëngulur se Trump dhe SHBA-ja mbeten fuqishëm të angazhuar ndaj NATO-s, pavarësisht pasigurisë së shkaktuar nga kërkesat e Trump-it që Danimarka të lëshojë kontrollin e Groenlandës.

“Mendoj se do të ketë shumë mbivendosje dhe ju uroj fat nëse dëshironi ta bëni këtë, sepse duhet të gjeni burrat dhe gratë në uniformë për këtë. Kjo do t’i ndërlikojë gjërat. Mendoj se Putini do ta dashurojë këtë. Prandaj mendohuni edhe një herë.”

Rutte u bëri të qartë ligjvënësve se nëse Evropa do të përpiqej ta menaxhonte vetë mbrojtjen, kjo do të kushtonte shumë më tepër se 5% e PBB-së që vendet e NATO-s kanë rënë dakord të shpenzojnë për mbrojtjen dhe investimet lidhur me sigurinë, shkruan Reuters.

“Ju duhet të ndërtoni aftësinë tuaj bërthamore…kjo kushton miliarda e miliarda euro. Në atë skenar, ju do të humbisni garantuesin suprem të lirisë sonë, që është ombrella bërthamore e SHBA-së. Prandaj, hej, ju uroj fat,” përfundoi Rutte.