Vendosni fjalën kyçe....

Rama flet në parlamentin izraelit: Shqipëria meriton respekt për qëndrimin ndaj popullit hebre


Kryeministri Edi Rama ka nisur fjalimin e tij në parlamentin e Izraelit, ku u ndal te marrëdhëniet mes dy vendeve dhe roli i Shqipërisë ndaj popullit hebre.

Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se e konsideron një nder të veçantë pritjen në parlamentin izraelit, duke theksuar se respekti i treguar nuk i përket atij personalisht, por Shqipërisë dhe qytetarëve të saj.

Ai vlerësoi qëndrimin historik të shqiptarëve ndaj hebrenjve, duke theksuar se vendi që përfaqëson ka bërë më shumë se shumë kombe të tjera për popullin hebre.

“Jam i sigurt se Shqipëria që unë përfaqësoj me krenari dhe njerëzit e kombit tim, si pak të tjerë që bënë për popullin hebre, duhet të gëzojnë respekt nga shteti i Izraelit”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha gjithashtu se fjalimi i tij në këtë forum ishte një moment me përgjegjësi të veçantë, duke e konsideruar një “test” personal të të folurit para përfaqësuesve të parlamentit izraelit.

Ai falënderoi për vlerësimet e shprehura ndaj Shqipërisë dhe për pritjen e rezervuar.

Në përfundim, Rama shprehu mirënjohjen e tij të thellë për mikpritjen, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Izraelit.