
Rreth 1 700 pallate banimi në kryeqytetin ukrainas, Kiev, vijojnë të jenë pa ngrohje pas një sulmi me raketa dhe dronë nga Rusia të kryer më herët këtë javë, njoftoi të dielën kryebashkiaku i Kievit, Vitalii Klitschko, për Reuters.
Rusia ka intensifikuar ndjeshëm bombardimet ndaj sistemit energjetik të Ukrainës që prej nisjes së pushtimit në vitin 2022. Të shtunën, Moska ndërmori një sulm të gjerë ndaj infrastrukturës energjetike, duke shkaktuar shpërthime gjatë natës në Kiev dhe duke lënë rreth 1.2 milionë objekte pa energji elektrike në të gjithë vendin, në kushte temperaturash nën zero.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, deklaroi në rrjetin social X se objektivat kryesore të Rusisë aktualisht janë sektori energjetik, infrastruktura kritike dhe ndërtesat e banimit. Sipas tij, vetëm gjatë kësaj jave Rusia ka lëshuar më shumë se 1 700 dronë sulmues, mbi 1 380 bomba ajrore të drejtuara dhe 69 raketa.
“Çdo sulm masiv i Rusisë mund të ketë pasoja shkatërruese,” u shpreh Zelenskiy, i cili të dielën ndodhej për vizitë në Lituani, duke shtuar se po punohet me partnerët ndërkombëtarë për të forcuar mbështetjen ndaj Ukrainës.
Zëvendëskryeministri Oleksiy Kuleba bëri të ditur se të shtunën në mbrëmje mbi 3 200 ndërtesa në Kiev ishin pa ngrohje, nga rreth 6 000 që ishin raportuar në mëngjes. Ndërkohë, Klitschko njoftoi se ekipet e shërbimeve komunale dhe kompanitë energjetike kanë arritur të rikthejnë furnizimin me ngrohje për mbi 1 600 ndërtesa, ndërsa puna vijon për rikthimin e shërbimeve për banorët e tjerë.
Sulmi i madh ndaj kryeqytetit ukrainas ndodhi në një kohë kur negociatorë nga Ukraina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara po diskutonin në Abu Dhabi mbi opsionet për përfundimin e luftës.