
Jared Kushner ka promovuar atë që e quajti “mundësi të jashtëzakonshme investimi” në Gaza dhe ka deklaruar se qyteti i shkatërruar i Rafahut mund të rindërtohet brenda dy deri në tre vitesh, ndërsa shpalosi një vizion prej 30 miliardë dollarësh për rindërtimin e enklavës palestineze të shkatërruar nga lufta.
Duke folur në Davos, Kushner — dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump dhe një nga këshilltarët e tij kryesorë për Lindjen e Mesme — prezantoi diapozitiva me imazhe të gjeneruara nga kompjuteri të territorit palestinez, që kujtonin një plan të mëparshëm, gjerësisht të kritikuar, për një “Rivierë të Gazës”. Plani parashikon ndërtimin e një “Gaze të Re” në disa faza.
“Në fillim po luanim me idenë: ‘Le të ndërtojmë një zonë të lirë [brenda Gazës] dhe më pas të kemi një zonë të Hamasit’. Pastaj thamë: ‘Le të planifikojmë për sukses katastrofik’”, deklaroi Kushner gjatë një aktiviteti të organizuar me rastin e prezantimit të “Bordit të Paqes” të Trump.
“Hamas ka nënshkruar një marrëveshje për çmilitarizim. Kjo është ajo që do të zbatojmë. Njerëzit na pyesin cili është plani B. Ne nuk kemi plan B… Ka një plan master dhe do ta zbatojmë me faza”, shtoi ai.
Vitin e kaluar, Trump ndërmjetësoi një armëpushim të brishtë për t’i dhënë fund luftës dyvjeçare mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza — konflikti më vdekjeprurës në historinë e përplasjes izraelito-palestineze. Lufta e la pjesën më të madhe të Gazës në gërmadha dhe shkaktoi një katastrofë humanitare në enklavën e rrethuar palestineze.

Megjithatë, ndonëse Trump arriti ndalimin e luftimeve dhe kthimin e pengjeve të fundit izraelite të mbajtura nga Hamasi, ka pasur pak përparim në fazën e ardhshme të planit të tij. Kjo fazë përfshin çarmatimin e Hamasit, tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza dhe rindërtimin e brezit.
Mbetet e paqartë se cilat vende do të kontribuojnë me trupa për një forcë ndërkombëtare stabilizimi, vendosja e së cilës konsiderohet thelbësore për kalimin në fazën tjetër.
Kushner pranoi se gjatë luftës janë hedhur rreth 90 mijë ton municione mbi Gazë dhe se luftimet kanë lënë rreth 60 milionë ton rrënoja. Megjithatë, ai tha se pastrimi i gërmadhave ka nisur në disa zona dhe shprehu optimizëm se “Gaza e Re” mund të rindërtohet relativisht shpejt.
“Në Lindjen e Mesme, ata ndërtojnë qytete si këto — me dy ose tre milionë banorë — brenda tre vitesh. Pra, gjëra të tilla janë shumë të realizueshme, nëse vendosim t’i bëjmë”, tha ai, duke shtuar se procesi do të nisë nga Rafahu, i cili para luftës ishte qyteti kryesor në jug të Gazës.

Diapozitivat që shoqëruan fjalimin e Kushnerit ofruan pak detaje konkrete, por parashikonin të paktën 25 miliardë dollarë investime në “shërbime moderne dhe të besueshme publike dhe infrastrukturë”; të paktën 3 miliardë dollarë në zona tregtare, distrikte biznesi, mikro-grante dhe kredi; si dhe të paktën 1.5 miliardë dollarë në shkolla profesionale dhe programe trajnimi.
Ende ka pak qartësi mbi mënyrën se si do të financohet rindërtimi i Gazës dhe Kushner nuk dha detaje të enjten mbi burimin e fondeve. Megjithatë, ai tha se kontributet nga vende të ndryshme do të shpallen në një konferencë në Uashington brenda disa javësh.
“Nga sektori privat do të ketë mundësi të jashtëzakonshme investimi. E di që është paksa e rrezikshme të investosh në një vend si ky, por kemi nevojë që ju të vini, të besoni, të investoni te njerëzit dhe të përpiqeni të bëheni pjesë e kësaj”, tha ai.
Kushner pranoi se do të ishte e vështirë të bindeshin investitorët të vinin në Gaza pa garanci sigurie, por theksoi se çarmatimi i Hamasit do të ishte një fokus kyç dhe paraqiti një sërë “parimesh të çmilitarizimit”.
“Pa siguri, askush nuk do të bëjë investime, askush nuk do të vijë të ndërtojë atje. Na duhen investime për të filluar krijimin e vendeve të punës”, tha ai, duke shtuar se Trump synon të sjellë në Gaza “parimet e ekonomisë së tregut të lirë”.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times