Vendosni fjalën kyçe....

Zbulohet në Indonezi arti më i vjetër shkëmbor në botë, treth 67,800-vjeçar


Një studim i ri shkencor ka zbuluar se një kontur dore i realizuar me pigment të kuq në murin e një shpelle në Indonezi është të paktën 67,800 vjeçar, duke e bërë atë kandidatin më të hershëm të njohur të artit shkëmbor në botë.

Shablloni i venitur i dorës u gjet në një nga shpellat e ishullit Sulawesi dhe mendohet se është krijuar nga njerëz të hershëm që i përkisnin një popullsie migratore, e cila u përhap drejt kontinentit të lashtë Sahul — një masë tokësore që përfshinte Australinë, Papua Guinenë e Re dhe pjesë të Indonezisë së sotme.

Sipas studiuesve, konturet janë realizuar me okër të kuq, duke vendosur dorën mbi mur dhe duke spërkatur pigmentin rreth saj. “Nuk mund të themi me siguri se çfarë teknike është përdorur. Pigmenti mund të jetë spërkatur nga goja ose me ndonjë instrument të thjeshtë,” shpjegoi Maxime Aubert, arkeolog dhe gjeokimist në Universitetin Griffith në Australi dhe autori kryesor i studimit, i publikuar në revistën shkencore Nature. Ai e cilësoi zbulimin si “emocionues dhe përulës”.

Shablloni i dorës, i cili duket se është modifikuar më vonë për të krijuar gishta më të hollë dhe të dallueshëm, është dukshëm më i vjetër se dhjetëra shembuj të tjerë të artit parahistorik të dokumentuar në shpellat e gëlqerorit të rajonit. Ndër to përfshihet edhe një skenë e famshme gjuetie me figura gjysmë njerëzore dhe gjysmë shtazore, e konsideruar si dëshmia më e hershme e tregimtarisë në artin njerëzor.

“Ajo që po zbulojmë në Indonezi nuk janë raste të izoluara, por gjurmë të një tradite kulturore shumë më të thellë dhe më të lashtë, e cila deri tani ka mbetur kryesisht e padukshme,” tha Aubert.

Studimi analizoi 44 lokalitete në Sulawesi-n juglindor dhe datoi me saktësi 11 motive të artit shkëmbor, përfshirë shtatë shabllone duarsh. Konturi më i vjetër u identifikua në shpellën Metanduno, në ishullin Muna. E njëjta shpellë përmban edhe piktura shumë më të vona kuajsh, drerësh dhe derrash, të realizuara rreth 3,500–4,000 vjet më parë, të cilat prej kohësh janë një atraksion turistik.

Datimi i artit të shpellave mbetet një sfidë e madhe shkencore. Për këtë studim, ekipi përdori një metodë që analizon gjurmët kimike në korat minerale që formohen mbi pikturat — të njohura si “kokoshka shpelle” — për të përcaktuar moshën minimale të veprave.

Zbulimi e vendos artin shkëmbor të Sulawesi-t përpara atij evropian, përfshirë pikturat e famshme të Lascaux në Francë, si dhe një shabllon dore në Spanjë që mendohet të jetë realizuar nga Neandertalët, duke rishkruar kështu historinë e origjinës së artit njerëzor, shkruan CNN.