
Ministria e Brendshme e Sirisë njoftoi të martën se rreth 120 të burgosur të grupit ekstremist Shteti Islamik (ISIS) janë arratisur nga burgu i Shaddadit, duke përgënjeshtruar raportimet fillestare që flisnin për rreth 1.500 të arratisur, përcjell YNet.
Sipas ministrisë, njësi të ushtrisë siriane dhe forca speciale të Ministrisë së Brendshme hynë në Shaddadi pas arratisjes. Gjatë operacioneve të kërkim-krehjes në qytet dhe zonat përreth, forcat e sigurisë arritën të rikasnin 81 persona, ndërsa puna vijon për kapjen e të tjerëve.
Më herët, ushtria siriane kishte deklaruar se “një numër” militantësh të ISIS-it ishin arratisur nga një burg nën kontrollin e Forcave Demokratike Siriane (SDF), duke akuzuar këtë të fundit për lirimin e tyre. Ndërkohë, raportime fillestare nga media kurde Rudaw, duke cituar një zëdhënës të SDF-së, kishin përmendur një shifër shumë më të lartë të të arratisurve.
Ngjarja vjen pas disa ditësh përleshjesh mes SDF-së dhe forcave qeveritare. Të dielën, SDF-ja ra dakord të tërhiqej nga Raqqa dhe Deir al-Zor, dy provinca me shumicë arabe që i kishte kontrolluar për vite me radhë dhe ku ndodhen fushat kryesore të naftës në Siri.