
Një zyrtar iranian deklaroi të dielën se të paktën 5 mijë persona janë vrarë në protestat që kanë përfshirë Iranin, përfshirë rreth 500 pjesëtarë të forcave të sigurisë.
Ai i akuzoi si “terroristë të armatosur” se kanë vrarë “iranianë të pafajshëm”, ndërsa trazirat vazhdojnë të konsiderohen më të përgjakshmet që prej revolucionit islamik të vitit 1979, përcjell Reuters.
Protestat shpërthyen më 28 dhjetor për shkak të krizës së rëndë ekonomike dhe u zgjeruan shpejt në tubime mbarëkombëtare që kërkonin fundin e sundimit klerikal.
Shifrat e viktimave janë rritur me ritme të shpejta gjatë dy javëve të fundit, ndërsa autoritetet po përshkallëzojnë akuzat ndaj aktorëve të huaj.
Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar vazhdimisht të ndërhyjë nëse protestuesit do të vazhdojnë të vriten apo të ekzekutohen.
Të premten, ai falënderoi udhëheqësit në Teheran duke thënë se regjimi kishte anuluar ekzekutimin e 800 personave.
Një ditë më vonë, Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei e quajti Trumpin “kriminel” dhe e akuzoi për humbjet e jetëve si pasojë e mbështetjes ndaj demonstruesve.
Ai pranoi publikisht se “disa mijëra” janë vrarë, duke i atribuuar vdekjet “terroristëve dhe trazirëbërësve të lidhur me SHBA dhe Izraelin”.
Ndërkohë, gjyqësori iranian la të kuptohet se ekzekutimet mund të rifillojnë. Zëdhënësi Asghar Jahangir tha se disa veprime të protestuesve janë klasifikuar si Mohareb – “luftë kundër Zotit” – një akuzë që sipas ligjit iranian dënohet me vdekje.
Në një intervistë për Politico, Trump deklaroi se “ka ardhur koha për të kërkuar lidership të ri në Iran”.
Organizata e të drejtave të njeriut HRANA me qendër në SHBA tha se deri të shtunën kishte konfirmuar 3,308 të vrarë dhe më shumë se 24,000 të arrestuar, duke shtuar se 4,382 raste të tjera të vdekjeve janë ende në verifikim.
Megjithatë, zyrtari iranian këmbënguli se bilanci i konfirmuar prej 5 mijë viktimash “nuk pritet të rritet ndjeshëm”, duke akuzuar “Izraelin dhe grupe të armatosura jashtë vendit” se kanë mbështetur dhunën.
Shtypja e protestave duket se ka zbehur demonstratat, sipas banorëve dhe mediave shtetërore. Një banor në Teheran i tha Reuters se kishte parë policinë e trazirave duke qëlluar direkt ndaj protestuesve, kryesisht të rinj. Videot e qarkulluara në rrjetet sociale dhe të verifikuara pjesërisht nga Reuters tregojnë dhunë të gjerë nga forcat e sigurisë.
Pjesa më e madhe e viktimave, sipas zyrtarit, është regjistruar në zonat kurde në veriperëndim të vendit, ku lëvizjet separatiste kanë qenë aktive prej vitesh.
Tre burime i thanë Reuters më 14 janar se grupe të armatosura kurde kishin tentuar të hynin nga Iraku drejt Iranit, me dyshime se aktorë të huaj po kërkojnë të shfrytëzojnë paqëndrueshmërinë.
Një banor i një qyteti në veriperëndim, që foli në kushte anonimiteti, tha se ka marrë pjesë në protesta, por kishte parë individë të armatosur të veshur si protestues që qëllonin drejt civilëve.
“Nuk ishin protestues të zakonshëm, mbanin armë dhe thika,” tha ai.
Marrja e informacionit nga vendi mbetet e vështirë për shkak të ndërprerjeve të gjera të internetit. Linjat u rikthyen për disa orë të shtunën, por u ndërprenë sërish, sipas NetBlocks. Faizan Ali, një mjek nga Lahore, tha se ishte detyruar të ndërpriste vizitën në Isfahan pasi “nuk kishte internet apo mënyrë komunikimi me familjen”.
Ai tha se kishte parë “turbë të dhunshme që digjte ndërtesa, banka dhe makina” dhe dëshmoi një person që goditi me thikë një kalimtar.