
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka reaguar në studion e News24 ndaj aludimeve se është emëruar kryeinspektor i përgjithshëm, duke i cilësuar këto pretendime si të pavërteta dhe të pabazuara.
Sula ironizoi akuzat që sipas tij përsëriten sa herë që dikush shfaq qëndrime ndryshe nga lidershipi i PD-së.
“Sa miliona euro na ka blerë një herë? Kushdo që nuk është dakord me lidershipin e PD, sipas tyre, i ble Rama të gjithë”, u shpreh ai me ironi.
Ish-deputeti theksoi se nuk ekziston asnjë emërim, vendim apo urdhër zyrtar në lidhje me këtë post.
“Nuk është asgjë e vërtetë, nuk ka asnjë lloj emërimi, asnjë vendim, asnjë urdhër. Nuk e di nga ka dalë kjo”, deklaroi Sula.
Ai sqaroi se shkëputja e tij nga Partia Demokratike dhe qëndrimet e mbajtura ndër vite janë bërë shkak për keqinterpretime dhe sulme politike.
“Duke pasur parasysh që jam shkëputur nga PD dhe nuk kam më vend aty, në kulmin e karrierës sime politike m’u prenë këmbë e kokë dhe tani nuk e kuptoj çfarë shqetësimi kanë”, u shpreh ai.