Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria mund të arrijë standardet e sigurisë ushqimore të BE brenda 10 viteve, thotë Rama



Kryeministri Edi Rama vuri theksin tek siguria ushqimore, duke pranuar se pavarësisht përparimeve të bëra, Shqipëria mbetet larg standardeve të Bashkimit Europian.

Ai deklaroi se vendi po përpiqet të arrijë një “fazë të ndërmjetme prej 5 vitesh”, por theksoi se përgatitjet duhet të fillojnë sa më shpejt. “Po të kemi parasysh kur ne kemi marrë detyrën, rrugët e Shqipërisë ishin tregje ushqimore dhe thertore informale. Që nga ajo kohë ka pasur përparim, por në raport me kriteret e sigurisë ushqimore të BE, jemi shumë larg,” tha Rama.

Kryeministri paralajmëroi se në momentin e anëtarësimit, çdo ushqim i prodhuar në Shqipëri duhet të përmbushë këto standarde, përndryshe nuk do të mund të shitej as në vend.

“Pra duhet punë dhe vendosmëri nga ana jonë si vendimmarrës, për të mos falur asgjë dhe askënd,” shtoi ai, duke nënvizuar përgjegjësinë që çdo aktor duhet të marrë në këtë proces.

Rama përfundoi duke thënë se në skenarin më të mirë, Shqipëria mund të arrijë nivelin e kërkuar brenda 10 viteve.