Vendosni fjalën kyçe....

“Shqiptarët e Harvardit”


Nga Auro Tare

Dje isha në Harvard. Në Harvard Square  sheshi modest i universitetit, më priste personi me të cilin kisha lënë takim,  një profesor i shquar i historisë dhe i gjuhës së lashtë greke, me origjinë ballkanike dhe me dije të thelluara mbi gjuhësinë dhe historinë e gadishullit.

Ai më shoqëroi dhe më prezantoi me koleksionin që kisha ardhur për të parë,  një koleksion i jashtëzakonshëm i kulturës shqiptare, për të cilin, fatkeqësisht, vetë institucionet tona tregojnë pak interes për te.

Përtej bisedave të gjata historike dhe këndvështrimeve të ndryshme mbi ngjarjet në “fshatin” tonë të përbashkët ballkanik, e pyeta për studentët shqiptarë në Harvard. Me kënaqësi më tha se tashmë në Harvard ka leksione mbi gjuhën shqipe dhe se studentët shqiptarë dallohen për këmbënguljen dhe seriozitetin e tyre.

Çfarë bëjnë kur kthehen në Shqipëri?  më pyeti profesori.

Mbeta për një çast pa fjalë. Nuk dija çfarë t’i përgjigjesha. Nuk kisha një ide të qartë ne se ata kthehen ne Shqiperi apo se  se sa studentë të diplomuar në Harvard janë sot pjesë e rrethit intelektual në Shqipëri.

Pse, vazhdoi ai, nuk ka ndonjë ide të saktë se ku janë të angazhuar apo çfarë kontributi japin atje?

Për ta shmangur padijen time, e devijova bisedën drejt koleksionit që kisha ardhur për të parë. U ndamë. Profesori u largua në këmbë drejt godinave të kuqe të universitetit, ndërsa unë drejt stacionit të trenit.

Pyetja e tij, pa përgjigje, më mbeti në mendje gjatë gjithë rrugës së kthimit:

Çfarë bëjnë studentët  shqiptare te Harvardit për vendin e tyre?

Nuk e dija përgjigjen për sot. Por di për katër studentët e parë shqiptarë që u edukuan në këtë universitet famëmadh. Çfarë bënë ata për Shqipërinë dhe si përfunduan?

Fan S. Noli, i diplomuar në vitin 1912. Shkrimtar, përkthyes, kryeministër, peshkop, punëtor i palodhur për Shqipërinë. Vdiq i vetmuar dhe në varfëri, në Florida.

Faik bej Konica, diplomuar në 1912, erudit i shkëlqyer, atdhetar dhe penë therëse kundër injorancës së mëmëdheut. Politikan, gazetar, botues, diplomat. Vdiq i vetëm në një hotel në Uashington, me vetëm pesë dollarë në xhep.

Koço Tashko, personalitet kulturor dhe politik, kontribues i rëndësishëm i mendimit përparimtar të majtë të kohës. Komunist naiv. Vdiq në moshë të thyer në burg, i harruar nga pothuajse të gjithë ish miqtë e revolucionit.

Kostandin Çekrezi, i diplomuar në Harvard në vitin 1918. Botues, gazetar, revolucionar, politikan. Pjesëmarrës në Kryengritjen e Fierit. I dënuar me vdekje dhe më pas i falur. Tërë jetën dhe veprimtarinë ia kushtoi Shqipërisë. Vdiq i vetmuar, në varfëri të plotë.

Foto

Fan Noli

Faik Bej Konica

Koste Cekrezi

Koço Tashko

Koço Tashko