Vendosni fjalën kyçe....

Meta çaktivizon mbi gjysmë milioni llogari fëmijësh pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri të Australisë


Meta ka çaktivizuar më shumë se gjysmë milioni llogari në rrjetet sociale që i përkisnin fëmijëve, në zbatim të ligjit të ri të Australisë që ndalon përdorimin e platformave sociale nga personat nën moshën 16 vjeç, përcjell DW.

Ligji hyri në fuqi më 10 dhjetor dhe detyron platformat e mëdha, përfshirë Meta, TikTok dhe YouTube, të mos mbajnë llogari për përdoruesit nën këtë moshë. Kompanitë që nuk zbatojnë ligjin rrezikojnë gjoba deri në 49.5 milionë dollarë australianë.

Sipas Meta-s, në periudhën 4–11 dhjetor janë çaktivizuar gjithsej 544,052 llogari të dyshuara si të përdorura nga fëmijë nën 16 vjeç. Prej tyre, 330,639 llogari ishin në Instagram, 173,497 në Facebook dhe 39,916 në Threads.

Në një deklaratë zyrtare, Meta tha se është e angazhuar të respektojë ligjin, por shprehu shqetësime lidhur me vështirësitë e verifikimit të moshës në internet, për shkak të mungesës së një standardi të përbashkët në industri.

Kompania i bëri thirrje qeverisë australiane të bashkëpunojë me industrinë për gjetjen e zgjidhjeve më efektive, duke propozuar masa si verifikimi i moshës dhe miratimi prindëror përmes dyqaneve të aplikacioneve, në vend të ndalimeve të përgjithshme.

Ndërkohë, transmetuesi publik ABC raporton se qeveria pritet të publikojë së shpejti të dhëna zyrtare mbi numrin e fëmijëve australianë të përjashtuar nga platformat sociale si pasojë e këtij ligji.

Ligji i Australisë është vlerësuar nga shumë mbrojtës të sigurisë së fëmijëve në mbarë botën dhe ka nxitur edhe vende të tjera, përfshirë Gjermaninë, të shqyrtojnë masa të ngjashme.