
Rreth 40 persona janë vrarë dhe 100 janë plagosur, shumica prej tyre rëndë, pasi një shpërthim përfshiu një bar të mbushur plot gjatë një festë të natës së Vitit të Ri në vendpushimin luksoz të skive Crans-Montana, thanë zyrtarët zviceranë të enjten.
Shpërthimi ndodhi në një bar të quajtur “Le Constellation” në resortin që ndodhet në Zvicrën jugperëndimore. Shkaku i shpërthimit mbetet i paqartë, por autoritetet thanë se duket të jetë një aksident.
“Për momentin ne po e konsiderojmë këtë si një zjarr dhe nuk po shqyrtojmë mundësinë e një sulmi,” tha prokurorja Beatrice Pilloud në një konferencë për shtyp, duke shtuar se autoritetet kanë hapur një hetim të plotë.
Disa nga viktimat janë nga vende të tjera, tha Stephane Ganzer, kreu i sigurisë për kantonin Valais. Kreu i policisë së kantonit, Frederic Gisler, tha se është hapur një linjë ndihme për të afërmit.
“Nuk mund t’ju fsheh që jemi të gjithë të tronditur nga ajo që ndodhi gjatë natës në Crans,” tha Gisler në konferencën për shtyp.
“Numri ynë është rreth 100 të plagosur, shumica rëndë, dhe mjerisht dhjetëra njerëz supozohen të vdekur,” tha ai, duke shtuar se pacientët janë dërguar në spitalet në Sion, Lozanë, Gjenevë dhe Cyrih.
Ministria e Jashtme italiane tha se informacionet nga policia zvicerane tregonin rreth 40 të vdekur, por Gisler refuzoi të jepte një shifër specifike.
Më herët, policia tha se shumë njerëz po trajtoheshin për djegie dhe se zona ishte mbyllur plotësisht, duke vendosur edhe një zonë ndalimi fluturimi mbi Crans-Montana. Autoritetet thanë se janë angazhuar 10 helikopterë dhe 40 ambulanca, shkrua Reuters.
“Ajo që ishte menduar të ishte një moment gëzimi, u kthye, në ditën e parë të vitit në Crans-Montana, në një zi që prek mbarë vendin dhe shumë përtej tij,” tha Presidenti Federal Zviceran, Guy Parmelin në platformën X, duke shprehur ngushëllimet e tij.
Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, tha se zjarri mund të jetë shkaktuar nga fishekzjarrët.
“Duket se ka qenë një aksident i shkaktuar nga një zjarri, nga ndonjë shpërthim, nga ndonjë kapsollë e hedhur gjatë festimeve të Vitit të Ri,” tha ai për kanalin televiziv italian Sky TG24.